Raportimet në Itali pretendojnë se ish-sulmuesi i Napolit, Lorenzo Insigne, ka një marrëveshje të arritur për t’u rikthyer në Serie A me Lazion, gati katër vite pasi u largua nga Partenopejt për t’u bashkuar me Toronton në MLS.
Insigne ka qenë lojtar i lirë që nga fillimi i verës, kur arriti një marrëveshje për të ndërprerë kontratën me Toronton me pëlqim të ndërsjellë.
34-vjeçari numëron 337 paraqitje në Serie A dhe 96 gola në kampionat gjatë kësaj periudhe. Në Amerikën e Veriut, ai shënoi 15 gola në 66 ndeshje me Toronton.
Disa skuadra të Serie A janë lidhur me një lëvizje të mundshme për ish-reprezentuesin e Italisë gjatë këtij sezoni, përfshirë edhe Fiorentinën që po lufton për mbijetesë.
Megjithatë, raportimet nga “Il Messaggero” (përmes “TMW”) tregojnë se tashmë ka një marrëveshje që sulmuesi veteran t’i bashkohet Lazios.
Sipas raportimit të së premtes, Insigne mund të zyrtarizohet si lojtar i Lazios brenda 48 orëve të ardhshme.
“Il Messaggero” raporton se Insigne pritet të fitojë një pagë prej rreth 1.2 deri në 1.3 milionë euro./GazetaExpress/