Ademola Lookman ka konfirmuar se ka “dorëzuar zyrtarisht kërkesën për transferim” te Atalanta, duke u ankuar se klubi “po bllokon mundësinë për arsye që nuk i kuptoj” për t’u bashkuar me Interin.
Sulmuesi nigerian ka bërë të qartë se dëshiron të kalojë në San Siro, duke menduar se oferta prej 45 milionë eurosh (duke përfshirë bonuset) është e mjaftueshme për të finalizuar marrëveshjen. Pas raportimeve se ai kishte dërguar kërkesën për transferim, ai e konfirmoi vetë me një deklaratë në llogarinë e tij në Instagram:
“Gjatë tre viteve të fundit te Atalanta, kam dhënë gjithçka – jo vetëm si futbollist, por edhe si njeri. Gjithmonë e kam veshur këtë fanellë me krenari dhe jam përpjekur të përfaqësoj klubin dhe qytetin e Bergamos me zemër, pasion dhe përkushtim.
Erdha këtu me shpresën për të ndihmuar këtë klub të veçantë të rritet dhe së bashku kemi krijuar kujtime që do të më mbeten përgjithmonë. Fitorja në Europa League dhe momenti kur festuam me tifozët në Dublin ishte një nga çastet më krenare të karrierës sime deri më tani. Më kapin ende emocionet sa herë që e kujtoj.
Atalanta, dhe veçanërisht tifozët e saj, janë bërë pjesë e imja. Ky vend është ndjerë si shtëpi që nga momenti kur erdha dhe gjithmonë jam përpjekur ta shpërblej atë dashuri – edhe në momentet kur gjërat nuk kanë qenë të lehta pas skenave.
Kjo është ajo që e bën kaq të vështirë ta shkruaj këtë. I kam dashur të gjitha këto momente, por ndjej se tani, pas tre vitesh të mrekullueshme në Bergamo, ka ardhur koha të lëviz dhe të përjetoj një aventurë të re.
Ka pasur shumë klube që kanë kontaktuar Atalantën edhe më parë dhe unë gjithmonë kam qëndruar besnik. Megjithatë, unë dhe drejtuesit e klubit kemi qenë dakord që tani është momenti i duhur dhe klubi ishte i qartë me mua se nëse vinte një ofertë e drejtë, do të më lejonin të largohesha.
Pavarësisht se tani ka ardhur një ofertë që përputhet me atë që ishte diskutuar, fatkeqësisht klubi po e bllokon këtë mundësi për arsye që nuk i kuptoj.
Si rezultat, dhe pas shumë muajsh premtimesh të thyera dhe trajtimi që unë e ndjej të padrejtë si njeri dhe si futbollist profesionist, fatkeqësisht nuk kam zgjidhje tjetër veçse të flas për atë që besoj se është e drejtë dhe ndjej se mjaft është mjaft.
Mund të konfirmoj se kam dorëzuar zyrtarisht kërkesën për transferim.
Edhe gjatë momenteve jashtëzakonisht të vështira që kam kaluar, shumë prej të cilave kanë mbetur private dhe konfidenciale, gjithmonë kam përpjekur të vë klubin, tifozët dhe ekipin në radhë të parë dhe shpresoja që të mos vinte deri këtu, por fatkeqësisht ndjej se tani ka mbetur pak zgjedhje.
Për tifozët – zemra e këtij klubi – dua të them këtë: Më vjen sinqerisht keq që ka ardhur puna deri këtu. Shpresoj që të kuptoni këtë situatë jashtëzakonisht të vështirë. Kjo ka të bëjë vetëm me qëndrimin për atë që besoj se është e drejtë. Mbështetja që gjithmonë më keni dhënë ka qenë e pabesueshme dhe lidhja që kemi krijuar së bashku është e veçantë.
Shpresoj që të punojmë së bashku me klubin për të gjetur një zgjidhje të përbashkët sa më shpejt të jetë e mundur.
Me dashuri dhe mirënjohje, Ademola.”
Marrëdhënia mes Lookman dhe Atalanta-s kishte filluar të përkeqësohej vitin e kaluar, kur ai u përpoq të kalonte te Paris Saint-Germain, por klubi e refuzoi. Konflikti u thellua pas eliminimit nga Club Brugge në fazën “play-off” të Champions League në shkurt, kur ai insistoi të gjuante një penallti vendimtare, e cila u prit nga Simon Mignolet.
Trajneri Gian Piero Gasperini më pas konfirmoi në konferencë për shtyp se Lookman nuk ishte parashikuar të ekzekutonte penallti, duke e quajtur “një nga ekzekutuesit më të dobët të penalltive që kam parë ndonjëherë”, me një rekord të dobët në stërvitje. Mateo Retegui dhe Charles De Ketelaere ishin caktuar përpara tij për këtë rol.
Largimi i Gasperinit nuk e ka qetësuar situatën mes klubit dhe lojtarit, pasi ai duket i vendosur të bashkohet me Interin, duke ndjekur shembullin e Teun Koopmeiners, i cili verën e kaluar shtyu për transferimin te Juventusi./GazetaExpress/