Britania ka njoftuar se ka zbuluar një mjet të sofistikuar të spiunazhit digjital rus si dhe ka vendosur sanksione ndaj më shumë se 20 spiunëve, hakerëve e agjencive ruse, për shkak të “fushatës së aktiviteteve keqdashëse kibernetike” me qëllim destabilizimin e Europës.
Sipas Reuters, ministria e Jashtme britanike ka thënë se sanksionet përfshijnë tre njësi të agjencisë së inteligjencës ushtarake ruse GRU dhe 18 oficerë të saj, përfshirë disa që, sipas Londrës, kanë qenë të përfshirë në sulmet ndaj qytetit ukrainas të Mariupolit gjatë luftës në Ukrainë, si dhe në përgjimin e ish-agjentit Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia, përpara se të helmoheshin me agjentin nervor Novichok në vitin 2018.
“Spiunët e GRU-së po zhvillojnë një fushatë për të destabilizuar Europën, për të minuar sovranitetin e Ukrainës dhe për të rrezikuar sigurinë e qytetarëve britanikë,” ka thënë ministri i Jashtëm britanik David Lammy në një deklaratë.
Është bërë e ditur poashtu se Rusia ka shënjestruar media, ofrues të telekomunikacionit, institucione politike dhe demokratike, si dhe infrastrukturën energjetike në Mbretërinë e Bashkuar.
Edhe pse autoritetet britanike kanë akuzuar vazhdimisht Moskën për veprimtari keqdashëshe – nga spiunazhi tradicional dhe përpjekjet për të minuar demokracinë, deri te sabotime dhe vrasje të organizuara – Moska i ka mohuar të gjitha këto akuza, duke thënë se janë të motivuara politikisht dhe se Rusia nuk përbën kërcënim për Britaninë.