Presidenti populist i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka udhëtuar për në Odesa të Ukrainës, duke shënuar kështu herën e parë që lideri serb pro-rus viziton Ukrainën.
Sipas Reuters, zyra e Vuçiqit ka njoftuar se ai do të qëndrojë vetëm një ditë në Ukrainë për të marrë pjesë në Samitin Ukrainë-Ballkani Juglindor në portin e Detit të Zi, i cili këtë javë u sulmua rëndë nga dronë dhe raketa ruse. Në samit pritet të marrin pjesë edhe politikanë të lartë nga 12 vende të Ballkanit Juglindor.
Kujtojmë se Serbia, ka aspirata për t’iu bashkuar Bashkimit Europian, por Rusia, aleati tradicional është furnizues kryesor i gazit dhe rafineria e vetme e naftës në vend është në pronësi kryesore të Gazprom dhe Gazprom Neft. Prandaj, edhe pse Beogradi ka dënuar sulmin e Moskës në Ukrainë, ai ka refuzuar të bashkohet me sanksionet perëndimore ndaj Rusisë.
Udhëtimi i Vuçiq në Ukrainë vjen pak kohë, pasi shërbimi rus i Inteligjencës e akuzoi Beogradin për “thikë pas shpine”, duke thënë se Serbia po shiste municione dhe armë në Ukrainë përmes ndërmjetësve.
Vuçiq është takuar me presidentit ukrainas Volodomyr Zelensky të paktën tre herë, e përderisa Serbia e njeh Ukrainën në tërësi, Kievi ka vazhduar të refuzojë njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Dihet se presidenti i vetëm serb që ka vizituar Ukrainën që nga pavarësia e vendit në 2006 ishte Boris Tadiç në vitin 2011. Ndërsa presidenti i mëparshëm ukrainas, Petro Poroshenko, ka vizituar Serbinë në 2018.