Loja “Jo, Jo” e BE’së me Ballkanin dhe Kosovën, a do të vazhdojë diskriminimi? - Gazeta Express
string(72) "loja-jo-jo-e-bese-me-ballkanin-dhe-kosoven-a-do-te-vazhdoje-diskriminimi"

Loja “Jo, Jo” e BE’së me Ballkanin dhe Kosovën, a do të vazhdojë diskriminimi?

Lajme

Gazeta Express

23/06/2022 12:10

Në rrethanat e një lufte që po zhvillohet në Europë sot në Bruksel po mbahet Samiti ku do të diskutohet pikërisht për rajonet më të nxehta të kontinentit – Ukrainën e fqinjët e saj dhe Ballkanin Perëndimor. Në kushtet e tilla jo të zakonshme, takimi i sotëm i europianëve me partnerët e tyre të Ballkanit Perëndimor ka rritur shpresat e këtyre të fundit për daljen e BE-së nga një pozicion i mosmbajtjes së premtimeve ndaj tyre. Vizitat e fundit e udhëheqësve me peshë të vendeve anëtare dhe atyre të Unionit sollën me vete mesazhe të forta mbështetjeje për rajonin. Secili nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor ka ngritur pritshmëritë – ndonëse thonë se janë të përgatitur për zhgënjim të sërishëm – për të marrë lajm pozitiv për rrugën drejt BE-së që tashmë ka filluar. Kosova edhe kësaj radhe pret që t’i jepet fund izolimit dhe të fitojë të drejtën për të lëvizur pa viza në zonën Schengen meqë për proceset e tjera integruese duhet të zgjidhë njëherë e mirë konfliktin politik me Serbinë.

Alma Baxhaku

Lexo Edhe:

Çka pritet nga ky samit?

Në një bisedë me Gazetën Express, Adnan Çerimagiq, ekspert për integrime europiane, thotë se është skeptik mbi rezultatin që mund të sjellë ky samit bazuar në përvojën e gjatë të përcjelljes së procesit të anëtarësimit nga ana e BE-së dhe zhgënjimin që ka prodhuar blloku ndaj këtij rajoni.

“Jam jashtëzakonisht skeptik. BE-ja s’ka qenë në gjendje të krijojë kompromise dhe të marrë vendime për vendet e Ballkanit Perëndimor. Por, në të njëjtën kohë energjia dhe shtyrja që i është dhënë Ukrainës dhe Moldavisë dhe nga fakti se BE-ja tani është e ndarë jo vetëm sipas linjave të atyre që janë kundër marrjes së vendimeve për zgjerimin e BE-së dhe atyre që janë në favor, por gjithashtu edhe një lloj i ri i ndarjes në mes atyre që janë në favor të dhënies së statusit të kandidatit për Ukrainën dhe atyre që e shohin të rëndësishme që të merren hapa të ngjashëm edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Për vendimet e tilla afatshkurtë, Çerimagiq thotë se zor që mund të merren për rajonin, duke i përfshirë këtu edhe liberalizimin e vizave për Kosovën, vendin kandidat për Bosnje e Hercegovinën dhe hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Megjithatë, analisti boshnjak ka një propozim për debatin që duhet të zhvillohet sot në mes të liderëve ballkanikë dhe atyre europianë.

“Si do të duket e ardhmja e procesit të anëtarësimit? Unë mendoj se ky është debati që udhëheqësit duhet të kenë kur të takohen. Shpresoj dhe mendoj se duhet të jetë një vendim që do të shpjegojë se ku po çon ky proces. A është anëtarësim i plotë në BE? Cila është oferta e BE-së në rast se nuk ka të tilla vendime nga ana e BE-së? Çfarë është ajo mund të shpresojnë realisht se do të marrin në pesë vitet e ardhshme?”.

Çerimagiq tha se ka parë draftin e konkluzave të Këshillit Europian dhe se aty s’ka parë premtim për dhënien e vizave për Kosovën. Dhe jo vetëm vizat që s’janë përfshirë, por as çështjet tjera për të cilat po presin vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Nëse kjo mbetet kështu si shumë vendime të tjera që janë në pritje, duke përfshirë liberalizimin e vizave, do të mbetemi pa atë vendim. Siç thashë, drafti nuk ishte premtues, por kjo nuk do të thotë se kjo nuk do të ndodhë”.

Ai është i mendimit se nëse BE-ja dëshiron që të perceptohet në Ballkanin Perëndimor si një si një aktor i jashtëzakonshëm që kur jep premtime edhe i përmbush, atëherë këtë duhet ta bëjë me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

 “Premtimi i anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE është i lidhur ngushtë me debatin për të ardhmen e reformave të brendshme në BE. Gati para 13 vjetësh ne e kemi parë se sa e vështirë ka qenë dhe sa dramatike që BE-ja të kryejë reforma të brendshme. Pra, në këtë drejtim është një premtim shumë i dobët”.

A u diskriminuan pozitivisht Ukraina dhe Moldavia?

“Ukraina është një shtet kandidat dhe mendoj se kjo është një gjë pozitive. Vendimi për Ukrainën, por edhe për Moldavinë nuk është i parakohshëm, nuk është ndonjë diskriminim pozitiv në këtë kuptim, është një proces. Nuk mendoj se në këtë kuptim Ukraina po diskriminohet pozitivisht. Mendoj se Ballkani Perëndimor po diskriminohet negativisht, sidomos Bosnja e Hercegovina dhe Kosova”.

Deklarimin se nuk iu mbetet hatri që Ukrainës po i jepet statusi i vendit kandidat më herët nga ana e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi po e sheh si diçka shumë pozitive dhe të mirëpritur në publik analisti boshnjak./Gazeta Express/