Loja e fëlliqtë e Kurtit - Gazeta Express
string(24) "loja-e-felliqte-e-kurtit"

Loja e fëlliqtë e Kurtit

OP/ED

Gazeta Express

10/11/2023 16:07

Albin Kurti po luan me ndjenjat e qytetarëve të Kosovës dhe po nënçmon ata, duke mos treguar se çfarë Asociacioni ka pranuar të themelojë. Ai po e mban fshehtë draft-statutin, duke ngjallur dilema e dyshime. Ai ua ka borxh qytetarëve t’ua sqarojë se për çfarë bëhet fjalë.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Ekziston “diku” një draft-statut për themelimin e një mekanizmi që iu jep më shumë të drejta një komuniteti, të cilin e ka pranuar kryeministri i një vendi, por për të cilin nuk dinë asgjë qytetarët. Bëhet fjalë për Kosovën, kryeministrin Albin Kurti dhe draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Emisarët perëndimorë ia kanë dorëzuar draftin atij më 21 tetor. Më pas, dokumenti iu është prezantuar edhe përfaqësuesve të partive opozitare. Por, pak ose aspak është bërë publike nga përmbajtja. Kurti e ka arsyetuar mungesën e transparencës me zotimin që ua ka dhënë ndërmjetësve që draftin të mos e bëjë publik. Konfidencialitetin e ka ruajtur edhe opozita. Ndërkohë, dilemat janë shtuar bashkë me dyshimet se bëhet fjalë për një dokument mbi të cilin do të themelohet një mekanizëm vetëmenaxhues i dëmshëm.

Për t’i “zbutur” këto dyshime u përkujdes ambasadori amerikan në Kosovë, i cili tha se draft-statuti ishte në përputhje me kushtetutën dhe se nuk bëhej fjalë për kurrfarë autonomie. Se drafti është kushtetues e ka thënë edhe Kurti, ndërkaq më të përmbajtur në këtë aspekt janë treguar presidentja dhe kryeparlamentari. Por, sa janë të mjaftueshme këto “garanci” për të besuar se vërtet bëhet fjalë për një dokument, mbi të cilin nuk do të themelohet një mekanizëm problematik brenda shtetit të Kosovës? Aspak.

Nëse draft-statuti qenka “pakrahasimisht më i avancuar” krahasuar me versionin e Asociacionit të vitit 2013, atëherë pse u dashka mbajtur i fshehtë? Nëse qenka brenda kushtetutës, atëherë pse duhet që publiku të mos ketë qasje në të?

Shkaqet për mostransparencë mund të jenë të shumta. Por, të paktën dy mund të konsiderohen të arsyeshme. Së pari që, duke mos e publikuar dratfin, Kurti në Kosovë e Aleksandër Vuçiq në Serbi të blejnë kohë për ta përgatitur opinionin për kompromiset e bëra. Së dyti, ka mundësi që palët janë marrë vesh që drafti të mos publikohet para zgjedhjeve të 17 dhjetorit në Serbi, në mënyrë që të mos ndikojë në rezultat. Megjithatë, nëse është kështu ose jo, duhet ta thotë Kurti. Ai ka zgjedhur të hesht dhe të sillet thua se bëhet fjalë për një dokument që rregullon të drejtat e një komuniteti që jeton në Mars, e jo në vendin të cilin ai e udhëheq.

* * *

Është e njohur që një marrëveshje mund të mbahet e fshehtë deri në finalizim, pasi që publikimi i parakohshëm mund të ketë ndikim në proces. Por në rastin e draft-statutit të Asociacionit është tjetër situatë. Marrëveshja është arritur dhe është pranuar nga palët. Si e tillë, ajo duhet të bëhet publike për të gjithë. Ky është një obligim i qeverisë dhe i kryeministrit.

Ambasadori amerikan mund ta shfaq vullnetin e mirë dhe të deklarohet rreth draft-statutit, por qytetarët nuk e kanë votuar atë në zgjedhje, por Albin Kurtin. Kurti është ai i cili, sa ka qenë në opozitë, vazhdimisht i ka kritikuar pushtetarët se nuk kishte transparencë në procesin e dialogut dhe se po arriheshin marrëveshje për të cilat qytetarët nuk dinin gjë. Tash, kur është në pushtet, ai po sillet edhe më keq.

Për çështjen e Asociacionit, për të cilin thoshte se nuk do ta themelojë asnjëherë, Kurti ka pasur kritika të ashpra. Edhe atëherë, ashtu si dhe tash, ai e ka ditur dhe e di se themelimi i këtij mekanizmi është një obligim shtetëror që duhet përmbushur. Andaj, diskursi i tij populist kundër i ka sjellë vota, por ai ka pranuar që ta themelojë.

Tash pushteti dhe eksponenët e tij janë të fokusuar se si të arsyetojnë pranimin e Asociacionit nga Kurti. Po bëhen përpjekje të binden qytetarët se ky “version” është më i mirë se i kaluari, se Asociacioni i Kurtit qenka “i mirë”, e jo i dëmshëm si ai i “regjimit të vjetër”. Por, po harrohen të gjitha kundërshtimet e dikurshme. Për më tepër, Kurti nuk po iu tregon qytetarëve se çfarë ka “gatuar”. Po luan ulët, fëlliqtë.