Llapi do ta ketë një mundësi të artë sot për t’iu afruar kreut të tabelës.
Llapjanët i fërkuan duart dje pas humbjes së Ballkanit nga Drita në derbin e xhiros së 21-të të Superligës së futbollit.
Kjo për shkak të me një fitore eventuale sot, trupa e Tahir Batatinës mund t’i afrohet liderit nga Suhareka në vetëm një pikë, shkruan “Gazeta Express”.
Aktualisht, therandasit janë katër pikë përpara llapjanëve dhe Dritës, e cila me fitoren e madhe të regjistruar dje u rikthye në garë për titull të kampionit.
Natyrisht, për ta arritur këtë, Llapi duhet ta mposht sot Fushë Kosovën në udhëtim.
“Pampurat” po ashtu kanë nevojë për pikë pasi e kanë trenin e fundit për të mbetur eventualisht në Superligë.
Aktualisht, Fushë Kosova pas 20 xhirosh të zhvilluara e gjen veten në pozitën e parafundit në tabelë me 10 pikë më pak se Gjilani, i cili e mban vendin e tetë, i cili dërgon në “play-out”.
Ndeshjet e sotme të ligës elitare kosovare do të nisin në orën 13:00. /Gazeta Express/