Pas përfundimit të dueleve të xhiros 35-të në Superligë, kur ka mbetur vetëm edhe një xhiro deri në fund të stinorit, njëra ndër dy dilemat e mëdha të mbetura për të qartësuar këtë stinor në renditje është – cili ekip do të kërkojë mbijetesën përmes barazhit në Superligë dhe cili ekip do të bie direkt në Ligë të Parë?
Në duel matematikor për pozitën 8-të në tabelë dhe pozitën 9-të, janë Llapi dhe Suhareka.
Llapi është i teti (pozita për barazh) dhe Suhareka është e nënta (pozita që rrëzon nga Superliga). Një xhiro para fundit të stinorit, Llapi ka 44 pikë, ndërkaq Suhareka ka 42 pikë.
Xhiroja e fundit e stinorit, luhet fundjavën që vjen, ndërkaq Llapi do të pres Dukagjinin në “Zahir Pajaziti”, ku këta të fundit siguruan mbijetesën në Superligë, e Suhareka luan derbin lokal me Ballkanin, ku këta të fundit kanë të sigurt pozitën e nënkampionit dhe daljen në gara evropiane.
Aktualisht, Llapit i duhet fitorja dhe do të sigurojë mundësinë për mbijetesë përmes barazhit.
Suharekës për të synuar barazhin i duhet fitorja dhe humbja ose barazimi i Llapit ndaj Dukagjinit.
Në rast të pikëve të barabarta ndërmjet ekipeve në Superligë, në cilindo rast që kërkon vendosmëri (dalje në gara evropiane, titull kampioni, mbijetesë, barazh) së pari shikohen duelet ndërmjet skuadrave përgjatë stinorit.
Pra në rast se Llapi barazon në xhiron e fundit me Dukagjinin dhe arrin kuotën e 45 pikëve, ndërsa Suhareka mposht Ballkanin dhe arrin kuotën e 45 pikëve – atëherë Suhareka do të luajë barazh, ndërsa Llapi do të bie në Ligë të Parë!
Kjo pasi që duelet ndërmjet këtyre skuadrave kanë kaluar në goleadë përgjatë takimeve të tyre në 2024/25 dhe të dyja kanë nga dy fitore, por Suhareka ka goldallim më të mirë. E kjo pritet t’i jep shpresë Suharekës në xhiron e fundit.
Këto janë rezultatet nga duelet ndërmjet Llapit dhe Suharekës këtë stinor:
LLAPI vs. SUHAREKA:
Llapi – Suhareka 3-0
Suhareka – Llapi 4-0
Llapi – Suhareka 2-0
Suhareka – Llapi 4-2
Kjo është gjendja me duele mes vete:
Llapi: 2 Fitore, 2 Hhumbje, Goldallimi 7-8, -1
Suhareka: 2 Fitore, 2 Humbje, Goldallimi 8-7, +1
Në xhiron e fundit të stinorit, do të shohim se a duhet përdorur ky kombinim për pikë të barabarta, apo skuadrat do të kryejnë thjesht, përmes pikëve të tubuara në kampionat.
Llapi mposht Dukagjinin = siguron barazhin;
Suhareka mposht Ballkanin, Llapi barazon ose mposhtet nga Dukagjini = Suhareka në barazh;
Suhareka me barazim ose humbje = bie nga liga;/GazetaExpress/