Sot, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, kreu pjesën e fundit të emërimit të kandidatëve për kryetarë të komunave nga ky subjekt politik. Kështu, PDK e finalizoi Listën e kandidatëve për kryetar të komunave. Disa nga degët kanë zgjuar interesim të publikut, në veçanti degët që konsiderohen bastione, Drenasi dhe Kaçaniku, të vetmet që deri më tani i kanë fituar zgjedhjet lokale.
Vështruesi i paanshëm, do të thoshte se mirë që u rrumbullakuan të gjitha kandidaturat nga PDK para afatit, megjithëse jo të gjitha degët e kësaj partie janë të kënaqura me zgjedhjen, kjo shihet nga qindra reagime në përkrahje të Lladrovcit gjithandej rrjeteve sociale.
Reagimin më të fuqishëm e shkaktoi mbivotimi i kandidaturës së Ramiz Lladrovcit, i përkrahur nga dega, por, dega konsiderohej e emëruar dhe nuk kishte legjitimitet për propozim, andaj, me paraqitjen e kandidaturës së dytë, sipas Statutit të PDK duhet bërë votimi i fshehtë.
Në votimin e sotëm, 31 anëtarë të Kryesisë morën pjesë në votim nga 43 sa ka kryesia e PDK. Për Lladrovcin votuan ketër ndërsa për kundër kandidatin e tij, 26. Ky disproporcion, lidhet edhe me ftesat e Lladrovcit për anëtarët e Kryesisë të mos bëhen pjesë e një votimi të padrejtë. Shumica, nuk e përfilli dhe votoi kundër kandidaturës së tij.
Çfarë “gabimesh” paska bërë Lladrovci, përse nuk pati simpati për të nga anëtarët e Kryesisë të cilët degët e veta, me ndonjë përjashtim i kanë “pus”. Si është e mundur që anëtarët e kryesisë të mos e marrin në konsideratë punën e Lladrovcit, shpalljen 6 (gjashtë) herë kampion në nivel nacional për performancën komunale, transparente dhe llogaridhënëse.
Çfarë “fajesh” paska Ramiz Lladrovci që nuk e deshi Kryesia, mos vallë gjuha e tij e sinqertë dhe drejtpërdrejtë, mos përfshirja në faljen e pronave dhe punësimeve të paligjshme. Apo ndoshta pse zbatoi ligji gjatë dhënies së tenderëve pa përfillur keqbërësit me ç’rast preku disa nga “bosat” e Drenicës dhe piunët e tyre në Kryesinë e PDK.
Mos ndoshta Lladrovci nuk ua bënte “lepe-peqe” askujt në parti, sepse nuk ishte puthadorë e servil sikur ata me deficite të mëdha atdhetarie dhe mungesë të kompetencës në qeverisje. Të gjitha këto mund të jenë.
Lladrovci ishte tepër i fortë për uzurpatorët, ruante pronën publike dhe sillej me nikoqirllëk me pronën komunale. Ai nuk kishte lënë asnjë hapësirë për keqbërësit e Drenasit dhe të komunave tjera. Asgjë nuk mund ta ndalte në zbatim të ligjit dhe nuk trembej e as nuk nënshtrohej, as atëherë kur opozita e dirigjuar nga keqbërësit në Asamble deklaronte se “kur ta marrin qeverisjen në mandatin tjetër, do ti jepnin pronat e komunës për biznes”.
Pas gjithë sukseseve në qeverisje, në vend se ta ri kandidonte Lladrovcin për kryetar të Drenasit, Anëtarët e Kryesisë, me lobim dhe përkrahje të fuqishëm të keqbërësve me bedelët e vet (terminologji e Lladrovcit), arritën të bindin 24 anëtarë të votojnë kundër tij. Pyetja themelore është se cili është kapaciteti moral e profesional dikush që asnjë detyrë në jetë, as në parti as në institucione të vendosë për Kryetarin më të mirë për gjashtë vite.
A e dinë se çfarë kanë shkaktuar anëtarët e Kryesisë me këtë votim, çfarë orteku të reagimeve të pakënaqësisë ka shkaktuar lajmi te qytetarët e komunës së Drenasit të cilët me qindra reagime i japin përkrahje Lladrovcit.
Lladrovci ka deklaruar sa e sa herë se nuk dorëzohet dhe nuk ka bir nane ta largojë nga PDK. Sipas informatave që disponon Redaksia, asgjë më nuk do të jetë njësoj, as në Selinë qendrore të PDK-së e as në komunën e Drenasit, ku të gjithëve ju dihet edhe mençuria, edhe trimëria dhe kontributi atdhetar dhe përkushtimi politik në dobi të qytetarëve. Drenasi është e qeverisur me ligj si asnjë herë më parë, pritet të shihet nëse qytetarët do të vihen në anën e Lladrovcit apo keqbërësve dhe bedelëve të tyre.
Sigurisht, Lladrovci për 9 vite, bëri zhvillime të pabesueshme si në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, investimet në biznes dhe fushat tjera. Ai solli personalitete të ndryshme në komunë duke e lartësuar përkrahjen që kishin dhënë për Kosovën dhe duke e vendosur komunën e Drenasit në agjenda ndërkombëtare si në Bruksel, Hiroshima, etj. Të gjitha këto, normalisht kanë ngjizur xhelozi te kryetarë tjerë jo vetëm të PDK-së. Edhe puna e madhe, nganjëherë bëhet rrezik për karrierën, si në rastin e Drenasit. Në asnjë rast, Lladrovci nuk pritet të dorëzohet, normalisht, pret të fitojë, me qytetarët e jo me anëtarët e Kryesisë së PDK.