Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur sot në zyrën e tij zëvendëskomandantin e Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it, nënkolonelin Evan Hessel, së bashku me bashkëpunëtorë të tij.
Në fillim të takimit, sipas njoftimit nga kjo komunë, Lladrovci ka shprehur mirënjohje për angazhimin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.
Ai ka theksuar se puna e kësaj force është thelbësore për qytetarët dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.
“Gjatë takimit, diskutuam për arritjet dhe sfidat me të cilat përballet komuna jonë, si dhe përkushtimin tonë për sundimin e ligjit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët tanë”, ka deklaruar Lladrovci.
Në përfundim të vizitës, Lladrovci u ka dhuruar mysafirëve punime dore të realizuara nga gratë e Qendrës për Përparimin e Gruas, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për vizitën dhe bashkëpunimin.
Nga ana tjetër, nënkoloneli Hessel i dhuroi kryetarit Lladrovci një simbol të veçantë, shenjën dalluese të Divizionit të 41-të të Këmbësorisë të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, një njësi me histori të gjatë që daton që nga periudha para Luftës së Parë Botërore dhe që vazhdon të kontribuojë në misionet paqësore anembanë globit.