Debati për ndërtimin e stadiumit nacional në Kosovë po rikthehet fuqishëm në qendër të vëmendjes, i nxitur nga kërkesa gjithnjë e më e madhe e tifozëve dhe mungesa e kapaciteteve aktuale për t’i përballuar ato. Interesimi masiv për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës, ka nxjerrë në pah kufizimet serioze të stadiumit “Fadil Vokrri”, ndërsa institucionet dhe akterët e ndryshëm vazhdojnë të diskutojnë për zgjidhjen më të mirë dhe më të shpejtë për ndërtimin e një impianti të ri modern.
Në këtë kontekst, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vënë theksin tek presioni i jashtëzakonshëm nga tifozët dhe pamundësia për t’i përmbushur kërkesat për bileta. Ai ka nënvizuar nevojën urgjente për një stadium të ri që përmbush standardet ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri të menjëhershme për futbollin kosovar.
Tash e sa vite, problemi më i madh për ndërtimin e këtij stadiumi ka qenë çështja e lokacionti se ku do të ndërtohet, me Drenasin dhe Bërrnicën në Prishtinë si dy vendet më të përfolura. Por duket se ka zhvillime të reja në këtë drejtim.
Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, në një intervistë për emisionin “SportCast” në KosovaPress, ka theksuar se aktualisht një nga alternativat më të realizueshme mbetet zona e Drenasit.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka mbrojtur fuqishëm projektin ekzistues për ndërtimin e stadiumit në këtë komunë. Ai ka theksuar investimet e deritanishme dhe ka paralajmëruar për pasoja të mëdha financiare nëse ndryshohet lokacioni, duke e konsideruar këtë si një dëm të panevojshëm për buxhetin dhe projektin në tërësi.
Edhe pse ende nuk ka pasur një takim zyrtar me ministrin e ri të sportit, Blerim Gashani, Lladrovci shprehu besimin se duke qenë se edhe vetë ministri është nga Drenasi, projekti do të vazhdojë sipas planit.
Ai përmendi se tashmë është formuar një komision nga ministria, Komiteti Olimpik dhe federatat përkatëse, i cili do të bëjë vlerësimin final.