Liverpooli mund të bëjë një tjetër goditje të bujshme në këtë afat kalimtar, duke synuar transferimin e Alexander Isak, dhe nëse e realizojnë këtë marrëveshje, pritet të mos ndalen me kaq.
“Reds” kanë investuar rëndë këtë verë, duke transferuar emra të mëdhenj si Jeremie Frimpong, Florian Wirtz, Milos Kerkez dhe Hugo Ekitike. Pavarësisht se kanë siguruar një sulmues si Ekitike, Liverpool mbetet i interesuar për shërbimet e Isak, i cili thuhet se i ka komunikuar Newcastle United dëshirën për të eksploruar opsione të tjera.
Anfield është destinacioni i preferuar i sulmuesit suedez, edhe pse çmimi i tij është shumë i lartë. Megjithatë, nëse Liverpooli arrin ta transferojë Isakun, ata planifikojnë të vazhdojnë me përforcimet.
Sipas gazetarit Sacha Tavolieri, Liverpooli po ndjek nga afër yllin e Lyonit, Malick Fofana, një 20-vjeçar që pëlqehet shumë nga departamenti i skautëve të klubit. Lëvizja për Fofana pritet të konkretizohet vetëm pasi Federico Chiesa largohet nga klubi. Anësori italian, i transferuar verën e kaluar, nuk ka pasur shumë minuta sezonin e kaluar dhe është i lidhur me një largim të mundshëm këtë verë.
Përveç kësaj, Liverpooli është gjithashtu i interesuar për Marc Guehi, mbrojtësin e Crystal Palace dhe përfaqësuesin anglez. Klubi e sheh atë si një pasardhës të mundshëm të Ibrahima Konaté, i cili ka kontratë deri në qershor 2026, por nuk ka rinovuar ende.
Guehi, 25 vjeç, ka treguar paraqitje të shkëlqyera në Premier League dhe konsiderohet si një nga mbrojtësit më të mirë të kampionatit anglez.
Liverpooli ka shpenzuar afër 300 milionë paund këtë verë dhe kapiteni Virgil van Dijk është i kënaqur me mënyrën si po ndërtohet skuadra.
“Nuk mendoj se ka qenë një merkato e keqe për ne. Klubi po përpiqet të përmirësojë skuadrën, gjë që është thelbësore në një ligë kaq të fortë si Premier League,” tha Van Dijk.
“Jam shumë i impresionuar me mënyrën si janë përshtatur lojtarët e rinj. Sigurisht që nuk ka garanci për trofetë, por përmirësimi i skuadrës ndihmon në ngritjen e standardeve në stërvitje dhe ndeshje.”
Nëse realizohet transferimi i Isak dhe largimi i Chiesa-s, Liverpool mund të përfundojë merkaton me dy përforcime të tjera cilësore – një sulmues të ri premtues dhe një lider të mbrojtjes./GazetaExpress/