Liverpool është lidhur me një objektiv të ri dhe surprizues për qendrën e mbrojtjes, ndërsa trajneri Arne Slot kërkon të forcojë repartin defensiv përpara sezonit të ri.
Gjatë verës, emra të shumtë të qendërmbrojtësve janë përmendur si objektiva të “The Reds”, përfshirë Marc Guehi të Crystal Palace dhe Ezri Konsa të Aston Villës. Aktualisht, dyshja kryesore e Liverpoolit përbëhet nga 34-vjeçari Virgil van Dijk dhe Ibrahima Konaté – i cili është në vitin e fundit të kontratës dhe është lidhur me një kalim te Real Madrid.
Sipas “GIVEMESPORT”, një emër i ri që po konsiderohet si zëvendësues i mundshëm, apo edhe si pasues i drejtpërdrejtë i tyre, është qendërmbrojtësi i Anglisë U21 dhe i Toulouse, Charlie Cresswell.
22-vjeçari thuhet se është vëzhguar disa herë nga skautët e Liverpool sezonin e kaluar, dhe ndonëse ende nuk është bërë një lëvizje zyrtare, ai mbetet një opsion serioz në radarët e klubit.
Cresswell iu bashkua Toulouse një vit më parë nga Leeds United dhe pati një sezon të mirë debutues në Ligue 1.
Ai u rrit në akademinë e Leeds dhe për këtë arsye llogaritet si lojtar “homegrown” – një avantazh i madh për regjistrimin në skuadër, duke qenë se Liverpool tashmë ka përmbushur kuotën prej 17 lojtarësh jo-homegrown në Premier League, pas afrimeve të Milos Kerkez dhe Florian Wirtz./GazetaExpress/