Liverpool ka përfunduar transferimin e Jeremie Frimpong nga Bayer Leverkusen për 35 milionë euro (29.5 milionë paund), me një kontratë pesëvjeçare.
Vetëm disa orë pasi klubi nga Anfield konfirmoi se Trent Alexander-Arnold do t’i bashkohet Real Madridit në kohë për të luajtur në Kupën e Botës për Klube, kampionët e Premier League kanë zyrtarizuar marrëveshjen për ndërkombëtarin holandez Frimpong, pasi aktivizuan klauzolën e lirimit të 24-vjeçarit.
Frimpong, një lojtar i gjithanshëm që luan me të djathtën, shihet gjerësisht si zëvendësuesi i Alexander-Arnold në skuadrën e trajnerit Arne Slot. Ai ishte pjesë kyçe në suksesin historik të Leverkusen për të fituar titullin e parë në Bundesliga në sezonin 2023-24 dhe regjistroi 53 paraqitje në të gjitha garat, ndërsa ekipi përfundoi i dyti në sezonin 2024-25.
Në krahun e djathtë, Frimpong do të ketë konkurrencë nga mbrojtësi i Irlandës së Veriut, Conor Bradley, i cili së fundmi ka nënshkruar një kontratë të re katërvjeçare me klubin.
Holandezi u rrit në akademinë e Manchester City-t dhe më pas iu bashkua Celtic në shtator 2019, para se të transferohej te Leverkusen në janar 2021.
Frimpong i bashkohet kontingjentit holandez në Liverpool, ku tashmë janë Virgil van Dijk, Cody Gakpo dhe Ryan Gravenberch.
Liverpool është gjithashtu në bisedime me Leverkusen për të nënshkruar me Florian Ëirtz. Klubi ka hyrë në negociata të avancuara për sulmuesin gjerman, duke paraqitur një ofertë prej rreth 109 milionë paund, përfshirë bonuset.
Ëirtz, 22 vjeç, është një objektiv kyç për Liverpool dhe aktualisht ka një ndjenjë se marrëveshja është drejt finalizimit, me shpresat që një akord të arrihet së shpejti./GazetaExpress/