Liverpooli raportohet se ka kontaktuar një trajner me emër të madh mes spekulimeve në rritje mbi të ardhmen e Arne Slotit.
Presioni po rritet mbi Slotin, i cili pa skuadrën e tij të pësojë humbjen e gjashtë në kampionat këtë sezon, të shtunën.
Goditja e fundit e Liverpoolit erdhi nga Nottingham Forest, që fitoi 3-0 në “Anfield”.
“The Reds” kanë vetëm 18 pikë pas 12 ndeshjeve dhe ndodhen në gjysmën e poshtme të tabelës, teksa shanset për të mbrojtur titullin e Premierligës janë thuajse të pamundura.
Një përditësim për të ardhmen e Slotit u dha pas humbjes së rëndë ndaj Forest, teksa Fabrizio Romano zbuloi çfarë di ai për situatën e trajnerit.
Nëse Liverpooli vendos ta shkarkojë Slotin, atëherë do të duhet të paguajnë një shumë të madhe, pasi kontrata e tij zgjat deri në vitin 2027.
Një listë trajnerësh ka dalë për të zëvendësuar Slot, dhe një raport i ri pretendon se një emër i ri ka dalë në radarin e tyre.
Sipas “Bayern Space”, të cilët të parët raportuan për kalimin e Florian Wirtzit te Liverpooli verën e kaluar, Richard Hughes ka kontaktuar agjentin e Julian Nagelsmann lidhur me mundësinë e tij në të ardhmen.
Agjenti Volker Struth ka një marrëdhënie të ngushtë me Bayern Munichun, duke pasur parasysh lidhjet e vazhdueshme të Nagelsmannit me klubin.
Sipas raportit, Bayerni është njoftuar se Liverpooli është kontaktuar ditët e fundit për bisedime eksploruese.
Ky komunikim është përshkruar si “i lirshëm” dhe “parandalues”, me qëllim “të kuptuarit e synimeve afatgjata të Nagelsmann” nëse Liverpooli vendos të shkarkojë Slotin.
Megjithatë, drejtorit sportiv të Liverpoolit, Hughes, i është thënë se 38-vjeçari nuk do të largohet nga Gjermania para Kupës së Botës së verës së ardhshme në asnjë rrethanë.
Por, në varësi të paraqitjes së Gjermanisë, një largim i hershëm nga kontrata shihet si i mundur për një klub të “peshës historike” si Liverpooli.
Për më tepër, besohet se Jurgen Kloppi po “udhëzon Liverpoolin drejt sigurimit të Nagelsmannit”, dhe “përflitet” se ai do të merrej në konsideratë për të zëvendësuar bashkëkombasin e tij në kombëtaren gjermane.
Nëse Nagelsmann do të zëvendësonte Slotin te Liverpooli, atëherë ai mund të ringjallte karrierën e Wirtzit, i cili është përballur me vështirësi në adaptimin në Premierligë pas transferimit prej 116 milionë paundësh këtë verë.
Wirtzi nuk ka shkëlqyer me fanellën e Liverpoolit, pavarësisht paraqitjeve të jashtëzakonshme te Bayer Leverkusen sezonin e kaluar.
Por Nagelsmanni, i cili e drejton 22-vjeçarin në kombëtare, mund të nxjerrë versionin më të mirë të tij.
Trajneri gjerman gjithashtu e ka mbrojtur Wirtzin mes kritikave të shumta, duke pretenduar se ylli është zhgënjyer nga bashkëlojtarët e Liverpoolit.
“Liverpooli mund ta ndihmonte duke shënuar disa nga rastet që ai krijon,” tha ai, kur u pyet për paraqitjet e Wirtzit këtë sezon. “Duket sikur atyre nuk u pëlqen ta gjuajnë topin”, përfundoi ai./GazetaExpress/