“Litari” i të keqës pa motiv  - Gazeta Express
string(26) "litari-i-te-keqes-pa-motiv"

Arte

Donjeta Abazi

14/11/2025 17:05

“Litari” i të keqës pa motiv 

Arte

Donjeta Abazi

14/11/2025 17:05

Më 12 nëntor erdh premiera e parë në Teatrin Kombëtar të Kosovës pas një kohe të gjatë. “Rope” me autor Patrick Hamilton u përkthye dhe u përshtat për publikun tonë, me regji të Skender Podvoricës, dramatizim të Zoga Çeta Çitaku dhe një kastë të gjerë aktorësh.

Nga Donjeta Abazi 

“Rope” është një dramë në tri akte, botuar në 1929, nga Patrick Hamilton. Ani pse ndarja në tri akte është vështirë e nuhatshme dhe nuk vërehet domosdoshmërisht. 

Ecje nëpër personazhe dhe mbi ngjarjen

Ngjarja supozohet të jetë e ndërtuar në një pjesë të Anglisë së viteve 1929; dy studentë të rinj kanë kryer një vrasje për ide dhe motive pak më specifike se sa që ndodh rëndom. E gjithë shfaqja mendohet të bazohet në idenë se kur do të zbulohet krimi, sepse kush e ka bërë krimin, dihet qysh në nisje. Brandon (Allmir Suhodolli) dhe Granillo (Valmir Krasniqi) janë dy vrasësit e shfaqjes, dy personazhet përmes të cilëve rrëfehet një pjesë e madhe e ngjarjes, mbi moralin, shoqërinë, aktin dhe dënimin. Personazhet tjera ndihmëse si psh ish profesori që nuhat krimin në fillim, ndihmojnë në përforcimin e idesë së autorit për të rrëfyer anën e ndërgjegjes së shfaqjes, jo krimin si akt por interpretimin e tij në shoqëri. 

Pija, cigarja, librat dhe ndejat e organizuar nga shoqëritë e asaj kohe, tregojnë për një stil jetese të veçantë të një periudhe të largët. Pastaj ndikimi i një autori (në ketë rast Niçes) tek te rinjtë e asaj kohe, e vë në dukje rëndësinë e “të shkruarës” dhe se si një ide mund të jetë shndërruar në litar të gjatë, i cili tërheq vazhdimisht pas vetes. Dallimi pastaj mes periudhës kur zhvillohet ngjarja dhe kohës sot (përtej hapësirës gjeografike) qëndron në faktin se sot mund të ketë individë të cilët “vdesin” për një ide të caktuar, ndërsa atëherë bëhej fjalë për grupe të mëdha shoqërore.

E keqja pa motiv të qartë 

Në shfaqjen “Litari” autori lidhet fort pas idesë që të shfaqë një formë të së keqes që nuk buron nga urrejtja, lakmia apo nevoja, por nga ideja intelektuale se njeriu mund të ngrihet “mbi moralin” dhe të veprojë sipas ligjeve të veta. Brandon dhe Granillo nuk vrasin për përfitim, por për të provuar se janë të jashtëzakonshëm, se zotërojnë fuqinë e vdekjes si një akt filozofik. Kjo lloj e keqe është e ftohtë dhe e rrezikshme sepse nuk ka qëllim të qartë njerëzor, ajo buron në formë absurde pra nga dëshira për të demonstruar një ide. Kjo e çon dramën përtej një krimi tradicional dhe e vendos në fushën e dilemave të thella morale.

Pikërisht mungesa e një motivi të zakonshëm e bën shfaqjen tronditëse atëherë kur e keqja bëhet eksperiment, ajo humb kufijtë njerëzorë dhe fiton një dimension filozofik. Brandon sheh vrasjen si një mënyrë për të vërtetuar madhështinë e vetes, duke e kthyer jetën e tjetrit në material për një teori të caktuar (në ketë rast teorinë e Niçes për “Mbinjeriun”). Autori shkon përtej një rrëfimi të zakonshëm dhe shtron pyetjen: çfarë ndodh me etikën kur idetë përdoren si justifikim absolut? Përmes veprimeve të tyre, shfaqja sugjeron se filozofia e shkëputur nga empatia mund të krijojë një boshllëk moral ku çdo akt mund të arsyetohet.

Në fund, Rupert Cadell (ish profesori i studentëve) e demaskon këtë logjikë duke vene në pah që vrasja pa motiv njerëzor nuk është shenjë fuqie, por e zbrazëtisë shpirtërore. E keqja pa motiv zbulohet si iluzioni më i rrezikshëm, një ndërtim mendjesh të reja që besojnë se mund të luajnë rolin e zotave, e që mbase kanë keqinterpretuar teoritë e një mendjeje siç ishte ajo e Niçes. Në këtë mënyrë, “Litari” bëhet një refleksion dramatik mbi rrezikun e ideve që kërkojnë të zëvendësojnë ndërgjegjen pra mbi kufirin e hollë midis mendimit të lirë dhe arrogancës së pamëshirshme.

Brandon dhe shoqëria (personazhet tjera)

Brandon, si ideatori i krimit, është mishërimi më i pastër i “të keqes pa motiv”. Ai nuk vret nga ndonjë shtysë emocionale, por nga bindja e ftohtë se fuqia intelektuale i jep të drejtë të vendosë mbi jetën dhe vdekjen. Brandon e sheh vrasjen si një akt estetik, një performancë brilante që provon superioritetin e tij ndaj moralit të zakonshëm. Mendjemadhësia e tij, e ushqyer nga keqinterpretimi i filozofive elitistë, e çliron nga ndjenjat e fajit dhe e shndërron në një njeri që e sheh botën si skenë për eksperimentet e tij filozofike. Kjo e bën atë figurën qendrore të dramës njëri të rrezikshëm jo nga shtytjet emocionale, por nga bindja se është një “super-njeri” që nuk ka nevojë t’i përgjigjet askujt.

Në anën tjetër, personazhet tjera, mysafirët, familjarët, figura të shoqërisë së lartë, shërbejnë si pasqyrë e rendit shoqëror që Brandon i përçmon. Ata janë njerëz të zakonshëm, të mbërthyer në të zakonshëm e tyre të përditshme, që nuk vërejnë asgjë të pazakontë edhe pse po hanë mbi arkivolin ku fshihet trupi i vdekur i një studenti. Prania e tyre zbulon një dobësi themelore të shoqërisë, pra gatishmërinë për të pranuar fasadën e mirësjelljes dhe për të mos parë përtej saj (ani pse tek-tuk ekzistojnë disa synime për të zbuluar). Këta personazhe nuk janë thjeshtë role, ata përfaqësojnë një shoqëri që bëhet bashkëpunëtore pa vetëdije në krimin e Brandonit sepse mungesa e dyshimit dhe rehatia e tyre i lejojnë së keqes të zhvillohet në heshtje. Në këtë mënyrë, Hamilton e përdor rolin e tyre për të treguar se e keqja nuk ekziston vetëm falë individëve të fuqishëm, por edhe falë shoqërisë që mbyll sytë.

Përtej Niçes

Pasi që u shkrua shfaqja “Rope”, u përshtat në film e në teatër nga regjisorë të ndryshëm, disa kritikë me vonë bënë komente negtive në lidhje me ngjarjen në rrafshin kohor dhe në (pa)rëndësinë e personazheve dytësore. 

Në shfaqjen që ne e pamë në Teatrin Kombëtar, mund të vërehen të dyja këto “defekte” që u përmenden e megjithatë nuk i bëjnë kurrfarë dëmi dramës. Prandaj teatri ndahet në periudha, sepse ka evoluar nëpër periudha të ndryshme kohore, në kohën kur kjo shfaqje është shkruar dhe shfaqje tjera të autoreve tjerë janë vënë në skenë, autorët e tyre e kishin në thumb rrëfimin e thellë, metaforën dhe mbijetesën e dramës duke u kapur pas aspektit filozofik. Derisa sot Teatri me a pa dashje i është nënshtruar të berit dramë që kënaq brenda natës së premierës dhe nuk i mbijeton kohës e jo për shkak të rrethanave, por për shkak të mungesës së mesazhit. 

Ndërsa kasta e aktorëve ndihmës, janë boll të pranishëm në skenë për të dhënë mesazhin, bile se ata shndërrohen në arsyen pse publikut i rritet dëshira për të përjetuar aktin final të shfaqjes, një akt që mbyllet veç nga tri personazhet.

Akti përfundon me ekspozimin e plotë të së vërtetës dhe me thyerjen e iluzionit të “krimit të përsosur”, ndërsa Rupert (nuhatësi i krimit), i tmerruar nga përdorimi i ideve si justifikim nga dy studentet, shndërrohet në zërin moral që i kthen personazhet dhe publikun përballë peshës reale të së keqes.

“Litari” në Prishtinë 

Skender Podvorica, si regjisor i ri, e bëri atë që plot regjisor tjerë me më shumë vite përvojë druhen ta bëjnë, dhe më e rëndësishmja e bëri mirë. Pavarësisht që zgjodhi një shfaqje goxha tunduese e të largët në kohë, bëri punë shumë të mirë me mbledhjen e një kaste aktorësh të veçantë nga ajo që jemi mësuar të shohim. 

Në prizmin tjetër Allmir Suhodolli do t’i nevojitet Teatrit Kombëtar të Kosovës për vitet pasuese, për shkak të mprehtësisë për të nuhatur rolin në çdo detaj të shfaqjes. Personazhi i tij në shfaqjen “Litari”, mbase edhe i shkon formatit dhe krijimit të tij si aktor, e megjithatë zotësia dhe karizma e tij në skenë, tejkalon “një rol të caktuar” dhe e rendit atë si një aktorë me potencial të lartë.

Autor: Patrick Hamilton

Regjisor: Skender Podvorica

Luajnë: Allmir Suhodolli, Valmir Krasniqi, Shkelzen Veseli, Arta Selimi, Rrezon Zhinipotoku, Selman Lokaj, Semira Latifi dhe Lumnije Sopi.