E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, në një intervistë për Gazetën Express ka folur edhe për pjesëmarrjen e qytetarëve serbë dhe Listës Srpska në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, pasi katër komunat veriore aktualisht janë me kryetarë shqiptarë.
Ajo ka cituar zv/presidentin amerikan, J.D. Vance, që ka thënë se “nuk mund të fitosh një mandat demokratik duke i censuruar kundërshtarët e tu”.
Prattipati tha se partitë politike të serbëve të Kosovës përfaqësojnë qytetarë të Kosovës.
Ajo ka shtuar se “përdorimi i ndonjë truku administrativ apo procedural për të penguar parti apo individë që ndryshe janë të kualifikuar të garojnë do ta njolloste rezultatin”.
Gazeta Express: Kosova do t’i mbajë së shpejti zgjedhjet lokale. Katër komunat me shumicë serbe në veri udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë pasi ata serbë braktisën institucionet në vitin 2023. A prisni pjesëmarrje të serbëve në këto zgjedhje, përkatësisht të Listës Srpska?
Anu Prattipati: Dua të ju referoj te ajo që Zëvendëspresidenti J.D. Vance tha në një fjalim në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt. Ai tha: “Nuk mund të fitosh një mandat demokratik duke censuruar kundërshtarët e tu”. Më vonë në të njëjtin fjalim ai tha: “Unë besoj se t’i përjashtosh njerëzit, t’i përjashtosh shqetësimet e tyre, ose, edhe më keq, t’i mbyllësh mediat, t’i mbyllësh zgjedhjet, ose t’i përjashtosh njerëzit nga procesi politik nuk mbron asgjë. Në fakt, kjo është mënyra më e sigurt për ta shkatërruar demokracinë”. Partitë politike të serbëve të Kosovës përfaqësojnë qytetarë të këtij vendi. Ato janë pjesë e peizazhit politik të Kosovës dhe nuk duhet të bllokohen nga pjesëmarrja politike. Të gjitha partitë duhet ta mbështesin të drejtën e njerëzve për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Kjo do të thotë të parandalohet çdo përpjekje për t’i bllokuar partitë politike të serbëve të Kosovës nga pjesëmarrja në zgjedhje. Përdorimi i ndonjë truku administrativ apo procedural për të penguar parti apo individë që ndryshe janë të kualifikuar të garojnë do ta njolloste rezultatin.
INTERVISTA E PLOTË:
Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, hapi vendndodhjen e saj të sapo ndërtuar në...