Avokati Ahmet Tahiri, njofton lirimin nga masa e paraburgimit të Naser Hafizit, ushtrues i detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).
Lajmin e ka bërë të ditur Tahiri në profilin e tij në Facebook, duke shtuar se “epilogu i këtij procesi do të jetë pafajësia e klientit të tij”.
“Sot, drejtësia vendosi që ta lirojë Naser Hafizin nga masa e paraburgimit sipas vendimit te Gjykatës Themelore në Prishtinë. Si avokat i tij, jam i bindur që edhe epilogu përfundimtar i këtij procesi gjyqësor do të jetë pafajësia e tij”, thuhet në postimin e avokatit Tahiri.
Hafizi qëndronte në paraburgim si i dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim të detyrës e autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.