Lirohen 54 persona nga karantina, në konvikte vazhdojnë të qëndrojnë edhe 400 persona - Gazeta Express
string(84) "lirohen-54-persona-nga-karantina-ne-konvikte-vazhdojne-te-qendrojne-edhe-400-persona"

Gazeta Express

06/04/2020 12:43

Lirohen 54 persona nga karantina, në konvikte vazhdojnë të qëndrojnë edhe 400 persona

Gazeta Express

06/04/2020 12:43

Pas 14 ditësh qëndrimi në izolim, në Qendrën e Studentëve 54 persona janë liruar pasi u testuan për koronavirus nga IKShP-ja, të cilët rezultuan negativë.

Ky grup i personave do të vazhdojë vetizolimin në shtëpitë e tyre. Ky është grupi i katërt i të testuarve në katër ditët e fundit dhe prej 190 të gjithë rezultuan negativë.

Lexo Edhe:

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, deklaroi se 230 persona gjithsej janë liruar pas testimit, derisa 400 persona janë duke qëndruar në karantinë.

“Fatmirësisht sot u liruan edhe 54 persona që kanë qëndruar për 14 ditë në karantinë. Të gjithë kanë rezultuar negativ pas testimit, është një lajm i mirë. Numri i përgjithshëm që po qëndrojnë është 400, ndërsa 230 persona janë liruar”.

Hisen Qorraj tregoi se kushtet kanë qenë të mira, derisa tha se do të vazhdojnë vetizolimin edhe në shtëpi për 14 ditë të tjera.

“Kushtet kanë qenë shumë të mira. Si në hotel me pesë yje. Unë kam ardhur nga Stambolli, jam nga Deçani. Edhe stafi mjekësor është përkujdesë. Tani do të qëndrojmë edhe në shtëpi edhe 14 ditë”, u shpreh ai.

Kurse, Adem Artinaj thotë se stafi mjekësor nuk është përkujdesur për ata, derisa tha se ka 6 ditë që nuk janë kontrolluar.

“Kushtet normale, stafi mjekësor qe 6 ditë nuk na ka kontrolluar. Kam qenë i sëmurë. Kam ardhur nga Gjermania. Do të vazhdoj vetizolimin në shtëpi”, tha ai.

Ndërsa, Faton Hoti tha se pavarësisht se kanë rezultuar negativ do të vazhdojnë të vetizolohen në shtëpi për arsye të sigurisë.

“Kushtet kanë qenë të mira, mirë kemi kalua. Jam që 14 ditë këtu kam ardhur nga Mali i Zi bashkë me pesë shokët, jetoj në Pejë. Kemi dalë negativ dhe na liruan, do të vazhdojmë vetizolimin në shtëpi për siguri”, tha ai.

Para dy dite një person ka dalë pozitiv, i cili është dërguar në Klinikën Infektive bashkë më personin tjetër që ka qëndruar në dhomë gjatë kohës së karantinimit.