Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, që nga radhët e LDK-së garon për një tjetër mandat, ka vazhduar fushatën zgjedhore.
Ai sonte ka mbajtur tubim në qytetin e Lipjanit, ku e quajti si tubim madhështor.
Ahmeti tha se ky tubim është vula e fitores, duke shtuar se bashkë kanë ndërtuar dhe zhvilluar qytetin.
“Lipjani uragani i fitores Sonte Lipjani është zemra që rreh më fort se kurrë, dhe ky tubim madhështor është vula e fitores, sepse bashkë kemi ndërtuar, bashkë kemi zhvilluar dhe bashkë do të vazhdojmë të ecim përpara. Entuziazmi i jashtëzakonshëm dëshmon qartë se kemi punuar me transparencë dhe përgjegjësi, dhe me projekte që kanë transformuar çdo lagje e çdo fshat të Lipjanit. Sot secili prej tyre qëndron më mirë se dikur, dhe kjo është garancia e fitores sonë të padiskutueshme”.
“Ky uragan i fitores është për vazhdimin e punës së ndershme, për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për Lipjanin që të gjithë e duam. Me punë, jo me fjalë, kemi dëshmuar se Lipjani ecën përpara. Lipjani ka zgjedhur të ardhmen, jo të kaluarën. Ka zgjedhur punën, jo propagandën. Lipjani ishte, është dhe do të mbetet bastioni i fitores së LDK-së! Faleminderit për këtë mbështetje të jashtëzakonshme”, ka thënë Ahmeti. /Gazeta Express