Të premten, më 3 prill, në ora 20:15, do të mbahet finalja e madhe e spektaklit të njohur “The Voice Kids”, ku do të përcaktohet fituesi i këtij edicioni
Në këtë natë vendimtare, secili talent do të performojë një këngë solo dhe më pas do të rikthehet në skenë për një performancë të përbashkët me trajnerin dhe ekipin e tij. Fituesi do të vendoset nga votat e publikut, të cilat mund të realizohen përmes aplikacionit Joyn, me telefon dhe përmes mesazheve.
Në finale kanë arritur gjithsej 12 finalistë, të ndarë në katër grupe, ku secili grup përbëhet nga tre këngëtarë dhe udhëhiqet nga trajneri përkatës.
Pjesë e finales është edhe Lionela Jakaj, 14-vjeçarja shqiptare që banon në Tulln të Austrisë dhe është me origjinë nga komuna e Gjakovës. Ajo është pjesë e grupit HE/RO dhe ka tërhequr vëmendjen e publikut me paraqitjen e saj energjike dhe vetëbesimin në skenë,
Lionela është prezantuar në spektakël me këngën “Easy” të Loredanës, ndërsa muzika rep mbetet stili që ajo e pëlqen më shumë. Sipas albinfo.at, Lionela tashmë mund të rivalizojë reperët e njohur për sa i përket vetëbesimit, duke u shprehur me moton e saj: “Nëse dua diçka, e arrij!”
Sa i përket çmimit, talenti fitues i “The Voice Kids” do të shpërblehet me 20,000 euro fonde arsimore, si dhe me mundësinë për të prodhuar këngën e tij në bashkëpunim me “Embassy of Music”.
Finalja pritet të sjellë emocione të mëdha, ndërsa Lionela Jakaj mbetet një nga emrat më të komentuar dhe shpresë e madhe për sukses në këtë garë prestigjioze./Albinfo
