Një vit tjetër, një ndikim i jashtëzakonshëm: Lionel Messi është renditur si lojtari më vendimtar i vitit 2025.
Ylli argjentinas nuk ka zhgënjyer, duke e bërë diferencën në çdo ndeshje të madhe ku ka luajtur.
Analistët e futbollit dhe statistikat e avancuara të CIES – vëzhgues i futbollit, konfirmojnë se Messi ka qenë vendimtar jo vetëm për golat dhe asistet e tij, por edhe për ritmin e lojës, vendimet strategjike në fushë dhe mënyrën se si e ka organizuar ekipin në momentet më kritike, shkruan “Gazeta Express”.
Messi, megjithëse tashmë me një karrierë të gjatë dhe të pasur me suksese, ka treguar se mosha nuk është barrierë: vazhdon të dominojë në MLS me Inter Miamin dhe të influencojë ndeshjet me prezencën e tij unike, duke u renditur gjithashtu shumë lartë në analizat globale të futbollit.
Statistikat flasin qartë: performanca e tij ka qenë vendimtare në çdo ndeshje të madhe të sezonit, duke lënë pas lojtarë të rinj dhe yje të tjerë që gjithashtu e kishin një sezon të mirë.
Kombinimi i aftësisë për të shënuar, për të asistuar dhe për ta kontrolluar lojën e kanë bërë atë lojtarin më të rëndësishëm për vitin 2025.
Tetë herë fituesi i Topit të Artë në këtë periudhë i pati 59 ndeshje në të cilat kontribuoi direkt në gol (37 gola e 22 asistime), ndërsa i mori 66,3 pikë në total.
Përkrah tij gjendet Kylian Mbappe i Real Madridit, i cili i kishte në total 41, mes golash dhe asistimesh, ndërsa i grumbulloi 65,4 pikë.
Bayern Munichu i mbulon pozitat tre dhe katër me anglezin Harry Kane (64,5 pikë) dhe francezin Michael Olise (54,9).
Në mesin e të rinjve spikat emri i Lamine Yamal të Barcelonës, i cili i kishte 18 gola dhe 11 asistime me një total prej 46 pikësh.
I vetmi lojtar tjetër U-23 prezent në listë ishte Franculino Dju i Midtyjlland me 27,1 pikë. /Gazeta Express