Linjat ndërkombëtare të autobusëve ende të bllokuara, 360 të tjera janë në qarkullim - Gazeta Express
string(83) "linjat-nderkombetare-te-autobuseve-ende-te-bllokuara-360-te-tjera-jane-ne-qarkullim"

Linjat ndërkombëtare të autobusëve ende të bllokuara, 360 të tjera janë në qarkullim

Gazeta Express

20/10/2020 10:46

Situata pandemike që fillojë nga marsi i këtij viti, si pasojë e përhapjes së virusit COVID-19 shkaktoi dëme të mëdha thuajse në çdo sektor.

Të prekur nga kjo situatë për disa muaj radhazi ishin edhe linjat e autobusëve, shumë prej tyre të cilat destinacion të rregullt e kanë Prishtinën. Për disa muaj u ndalua qarkullimi në mënyrë të përgjithshme, teksa më vonë iu lejua qarkullimi vetëm disa linjave, shkruan lajmi.net.

Lexo Edhe:

Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Zyrën për Informim të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, të cilët kanë bërë të ditur se tashmë linjat e autobusëve janë duke qarkulluar në mënyrë më të rregullt.

E gjithë kjo u mundësua në fazën e dytë të lehtësimit të masave nga institucionet përgjegjëse në vend.

“Stacioni i Autobusëve pas fazës së izolimit gjeneral ka filluar punën në fazën e dytë të lehtësimit të masave nga Qeveria. Në fillim numri i linjave të mbajtura ka qenë në numër shumë të reduktuar për shkak të kritereve të vendosura për transportuesit dhe numrit të vogël të udhëtarëve, por gradualisht me lehtësimin e masave edhe numri i linjave ka filluar të mbahet sipas orarit gjithashtu edhe numri i udhëtarëve është rritur”, ka thënë Shqipe Durmishi për lajmi.net.

Numri i linjave të autobusëve që qarkullojnë në këtë stacion është 360, e që sipas Durmishit, këto shifra nuk janë ende në kapacitet të plotë sipas rendit të udhëtimit të lejuar nga ministria e Infrastrukturës.

Edhe pse pandemia shkaktoi dëme të mëdha ekonomike, siç duket Stacioni i Autobusëve tashmë është në një situatë stabile, edhe pse në fillim të pandemisë patën probleme të mëdha sa i përket shpenzimeve.

“Si pasojë e pandemisë disa muaj ndërmarrja nuk ka krijuar të hyra, shpenzimet janë paguar nga mjetet e akumuluara të ndërmarrjes dhe subvencioneve të Komunës. Gjendja financiare në Stacion për momentin është stabile, linjat me lirimin e masave kane filluar të mbahen sipas orarit të rregullt, përveç atyre ndërkombëtare që po varen edhe nga kriteret e shteteve tjera për parandalimin e shpërndarjes së virusit”, tha ajo.

Kosova po vazhdon të përballet me situatën e krijuar si pasojë e virusit COVID-19, ku deri më sot numri i të infektuarve ka arritur në 17 mijë e 9 raste. Si pasojë e kësaj, Qeveria e Kosovës ndau disa milionë euro, në mënyrë që tu dalë në ndihmë bizneseve, si dhe qytetarëve në përgjithësi për humbjet që pësuan gjatë kësaj kohe.

Duhet përkujtuar paralajmërimet e ekspertëve se do të jetë mjaftë e vështirë të përballohen problemet ekonomike të cilat mund t’i vihen vendit, në rast të keqësimit të situatës pandemike, pasi që numri i të infektuarve veçse është në rritje.