Linja hekurudhore Prishtinë-Prizren nuk qarkullon nga viti 2000, shkak infrastruktura e keqe - Gazeta Express
string(91) "linja-hekurudhore-prishtine-prizren-nuk-qarkullon-nga-viti-2000-shkak-infrastruktura-e-keqe"

Linja hekurudhore Prishtinë-Prizren nuk qarkullon nga viti 2000, shkak infrastruktura e keqe

Gazeta Express

14/02/2020 20:59

Gjendja e infrastrukturës hekurudhore në Kosovës e lënë pas dore, vetëm dy linja funksionale.

Nga udhëtimi me tren për në Prizren ka mbetur vetëm kjo këngë.

Lexo Edhe:

Që nga viti 2000 asnjë tren nuk ka qarkulluar më në linjën hekurudhore Prishtinë-Prizren.

Prej pasluftës asnjë udhëtar e asnjë mall nuk është transportuar me tren ndërmjet këtyre dy qyteteve.

E jo vetëm kjo linjë ka mbetur e pashfrytëzueshme.

Janë edhe linjat Prishtinë-Gracanice, Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Magure dhe Prishtinë-Podujevë që nuk janë funksionale.

Kurse çdo ditë në Kosovë qarkullon treni lokal nga Peja në Prishtinë dhe anasjelltas.

Hekurudhat e Kosovës kanë një linjë të rregullt në aspektin e transportit ndërkombëtar. Treni i quajtur tren i shpejtë udhëton çdo ditë, një herë brenda 24 orëve në relacionin Prishtinë-Shkup dhe anasjelltas.

Infrastruktura hekurudhore, ndër vite është përballur me telashe të shumta, duke u nisur nga mungesat esenciale.

Jo vetëm që ka pasur mungesë investimesh në hekurudhat e vendit, por edhe mirëmbajtja nuk ka qenë e kënaqshme.

Vjetërsia e binarëve, vagonëve, lokomotivave, ndërtesave të stacioneve, mungesa e sinjalizuesve kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e linjave ekzistuese funksionale.

E përgjegjëse për infrastrukturën hekurudhore sipas Ligjit është ndërmarrja publike Infrakos. Kurse operimet e trenave menaxhohen nga ndërmarrja Trainkos.

Viteve të fundit, të dy këto kompani janë shoqëruar me kriza financiare.

Madje më shumë se në një rast, punëtorët e tyre kanë mbetur edhe pa paga.

Ndërkohë, ekziston tashmë një projekt në vlerë prej 209 milionë eurosh për rikonstruktimin e linjave hekurudhore e i cili ka nisur të zbatohet në fillim të vitit të kaluar.

Ky projekt është i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe faza e parë e tij ka nisur të zbatohet në linjën Prishtinë-Han i Elezit.

Autoritetet në Kosovë janë në përgatitjeje të procedurave për fillimin e rikonstruktimit të linjave hekurudhore, projekt ky i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe nga Qeveria e Kosovës.