Sot është mbajtur vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, pas aktgjykimit të Kushtetueses. Megjithatë, edhe si ato paraprake, edhe kjo e sotmja dështoi. Gjatë kësaj seance, Lëvizja Vetëvendosje sërish ndryshoi kandidatin e saj, ku kësaj here propozoi Hekuran Muratin për kryetar të Kuvendit.
Ky i fundit mori 57 vota për, kundër 52, dhe pati 6 abstenime.
Pikërisht këto të fundit ngjallën kureshtje, pasi që të njëjtat u bën nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Lidhur me këtë, Gazeta Express, ka kontaktuar me deputeten e kësaj partie, Time Kadrijaj.
Kjo e fundit e pyetur se votimi i tyre nënkupton përafrim të ndonjë lloji me VV-në, e hodhi poshtë një gjë të tillë, duke thënë se abstenimi i tyre s’paraqet asgjë tjetër përveç se një pozicionim të sotëm.
‘‘Jo absolut nuk ka ndryshim në qëndrime, nuk jemi në negociata, nuk do të ketë asnjë marrëveshje mes Aleancës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Thjesht një pozicionim, është e drejt me votu për, kundër ose abstenim, sot abstenuam’’, ka deklaruar ajo.
Tutje, e njëjta dha detaje edhe për bisedën që ajo zhvilloi me kryesuesin e seancës, Avni Deharin, duke thënë se këtij të fundit i kërkoi që të dihet kandidati paraprakisht, e jo vetëm gjatë seancës.
Deputetja e AAK-së, tha edhe se, VV po propozon kandidatë që s’do të votohen, gjë e cila, nënkupton sipas saj se VV-ja po punon qëllimshëm me sabotu konstituimin e parlamentit.
‘‘S’ka asgja. Ju e keni pa që në fillim të seancës kam shkuar me u konsoltu me to, e kam lut atë kryesuesin që po udhëheq me seancën që me ditë paraprakisht emrin e kandidatin, mos me qenë kandidati aty për aty i propozuar, që nëse partitë politike që kanë propozuar që do t’i votojnë një numër të deputetëve, ata që s’kanë qenë në ekzekutiv, t’i dimë paraprakisht në mënyrë që të konsultohemi. As që ka pranuar fare, në vend që VV-ja me ftu konsulta të tilla, sepse edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i ka thënë se duhet të ketë një bashkërendim ata nuk po bëjnë përpjekje fare, përkundrazi po i propozojnë kandidatët deputetë të cilët kemi thënë që nuk do t’i votojmë, do më thënë qëllimshëm po punojnë në këtë drejtim me sabotu konstituimin e Kuvendit’’, ka deklaruar ajo.
Ndryshe, pas seancës, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, pas përfundimit të seancës në një deklaratë për gazetarë tha se ‘‘po shtohet numri i abstenuesve mirë është puna”. /GazetaExpress