Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha sot se kemi “një situatë tjetër” pasi presidentja Vjosa Osmani iu drejtua Gjykatës Kushtetuese të martën për të kërkuar sqarime për pasojat juridike të kalimit të afatit të vendosur për konstituimin e Kuvendit dhe pezullimin e këtij afati.
Ai tha se Kushtetuesja duhet “të ndihmojë në qartësimin e çështjes rreth Kuvendit”, dhe më pas, sipas tij, do të krijohen institucionet.
“Dhe unë besoj atëherë do të krijohet edhe shumica për Parlament, edhe për Qeveri dhe Kosova do t’i ketë institucionet”, tha ai pas ndërprerjes së sërishme të seancës konstituive.
Kërkesa e dorëzuar nga Osmani në Kushteuese, Limaj tha se “e ndihmon procesin edhe aktualisht edhe në të ardhmen”. Sipas tij, “edhe në interesin e partive politike është që të pritet vendimi i gjykatës”.
Limaj tha se Nisma “nuk beson në zgjedhje parciale”.
“Ne duam një shumicë qeverisëse e cila e konstituon edhe Kuvendin, dhe e krijon qeverinë”.
Ai tha se partia e tij “nuk do të kontribuojë në zgjidhjet gjyskame që do të shkaktonin zgjedhje”.
Limaj tha se në tavolinën e bisedimeve me Kurtin kanë opsionet e të dyja palëve.
“Për mua, e rëndësishme është që vullneti i qytetarëve të Kosovës në zgjedhje”, tha ai.
“Kryetari i cili i ka fituar votat duhet ta drejtojë qeverinë. Deputetët përreth duhet ta ndihmojnë kryetarin e tyre për ta implementuar vullnetin qytetar në qeverisje”, tha Limaj.
Kryetari i Nismës tha se do të kenë “kohë të mjaftueshme” dhe se “një vendim i Gjykatës do ta qartësojë përfundimisht këtë”.
“Jo shumicë me episode. Jo shumicë gjysmake. Jo shumicë që e zgjedhë kryetarin e Kuvendit e pastaj shkon drejt zgjedhjeve. Ne nuk jemi të interesuar”, tha Limaj, ndërsa foli për takimet me Kurtin.
Me kreun e LVV-së, ai tha se “ka përpjekje, ka angazhime”.
Besoj që do të ketë edhe takime të tjera”, tha Limaj.
Për detajet e bisedimeve me Kurtin nuk deshi të fliste.
“E rëndësishme që në tavolinë ka opsione. Për korrektësinë, e kërkoj mirkuptimin tuaj. Nuk mund të shkojmë atje derisa s’ka diçka konkrete”, tha Limaj.
Kurti, ndërkohë nuk ua tha asnjë fjalë gazetarëve sot ndërsa po hynte në Kuvend për vazhdimin e seancës konstituive.
Ata u takuan të shtunën në një restorant në qendër të Prishtinës. Kurti dhe Limaj po qëndrojnë në kontakt prej muajsh dhe janë takuar disa herë, me negociatat që nuk kanë dhënë ende rezultat.
Zgjidhja e ngërçit duket se është në duart e liderit të partisë me më së shumti deputetë në Kuvend dhe atij të partisë me më së paku, të cilët janë shprehur optimistë për arritjen e një marrëveshjeje.
Kurti tha të hënën se ia ka bërë Limajt një ofertë, për detajet e së cilës nuk pranoi të fliste.
“Këtë fundjavë do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose mungesën e saj”, tha ai të hënën në një konferencë për media.
Ndërsa Limaj po e shqyrton ofertën “konkrete” të Kurtit, më herët ka bërë të ditura dy kërkesat konkrete të tij: pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe një “paketë ligjore”, në të cilën përfshihet edhe ulja e pragut zgjedhor nga 5 në 2%.
Në fund të javës skadon afati 30-ditor i dhënë nga Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e 26 qershorit. Ajo vendosi që deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.