Kreu i NISMËS Socialdemokrate, Fatmir Limaj, është deklaruar i prerë sa i përket pozicionit të tij dhe partisë që ai e drejton, për të qenë pjesë e koalicioneve për qeveri të vendit.
Limaj tha se nuk do të jetë pjesë as e qeverisë së Albin Kurtit, as e qeverisë së mundshme të partive të ish-opozitës.
Madje ai thotë se më shumë e ka marrë malli për të qenë në opozitë.
“Të njëjtën i kam thënë edhe kryetarit të Partisë Demokratike, ne të ndihmojmë me ndërtu qeverinë, paketa ligjore është parësore për mua. Ne nuk jemi të interesuar as aty me qenë në qeveri. Po s`jemi bre të interesuar me qenë në këtë fazë në qeveri”, tha ai në Rubikon të Klan Kosovës.
“Mua me ka marrë malli me qenë në opozitë në parlament, besoj që i ndihmoj më shumë vendit. Ne në këtë fazë nuk jemi të interesuar të jemi në qeveri, e njëjta është situata. Opozitë edhe qeverisë së opozitës. Votën e japim edhe me na votu paketën ligjore siç e përmenda, votën tonë e kanë në mbështetje të një qeverie”, tha Limaj.
Limaj ende shpreson që do të arrijnë marrëveshje politike me Albin Kurtin, që vendi të dal nga kriza institucionale, në të cilën është futur pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Pavarësisht, se “marrëveshja mes xhentëlmenëve”, siç tha që e kishin arritur me Albin Kurtin, që postin e kryetarit të kuvendit t’i jap Limajt, e që në realitet propozoi Albulena Haxhiun, Limaj ende beson në të.
“Unë besoj që Kosova ka me pas institucione, ka me pas marrëveshje. Për me thanë a ka marrëveshje a jo duhet me pas vota me votu. Unë nuk kandidoj pa një marrëveshje, me shumicë parlamentare, se pa shumicë parlamentare nuk ka kryetar kuvendi. Ne jemi të gatshëm për aq sa na takon ne të shkojmë drejt asaj që kemi pasur si marrëveshje xhentëlmene”.
“Ne i qëndrojmë asaj marrëveshje deri në fund nëse vinë numrat, me numrat e Nismës e VV-së, nuk janë të mjaftueshme. Kurti e ka të qartë ja kemi thanë, ne e përcjellim marrëveshje nga kuvendi deri në qeveri, nëse nuk ka marrëveshje, kaq. Nuk mundet me pas marrëveshje vetëm për njërën pjesë. Nuk mundet me pas marrëveshje vetëm për qeveri pa pasur për kuvend, marrëveshje e plotë ose hiq”, tha Limaj.
Madje ai ka deklaruar se partia të cilën ai e drejton është përcaktuese, për krijimin e shumicës shqiptare në të dyja taborët.
“Nisma e përcakton shumicën shqiptarë në të dyja anët. Partia e parë Vetëvendosje, por Nisma e përcakton shumicën shqiptare dhe kjo është e rëndësishme, edhe për kampin opozitarë është e rëndësishme”, tha Limaj.
Qumështorja Vita vjen me kampanjën e saj më të re, “Rritna tu pi Vita”, një vazhdimësi e natyrshme dhe...