Limaj: Kurti nuk e ka problem shkëmbimin e territoreve, por pse është pas Thaçit - Gazeta Express

Limaj: Kurti nuk e ka problem shkëmbimin e territoreve, por pse është pas Thaçit

Lajme

Gazeta Express

31/03/2020 23:02

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se tema e shkëmbimit të territoreve është temë që herë ngjallet e herë shukatet.

Ai ka thënë në emisionin “Pressing”, në T7, se Kosova është peng i betejës mes kryeministrit dhe presidentit.

Lideri i Nismës ka thënë se këta dy s’mund të jetojnë në skenën politike pa njëri tjetrin, sepse janë të njëjtë, duke shtuar se Kurti është një kopje e zbehtë e Thaçit.

Limaj ka folur edhe për mosshkuarjen e kryeministrit Kurti në Uashington, duke thënë se e ka pasur obligim ndaj qytetarëve të Kosovës të shkojë të shohë, nëse ka marrëveshje të gatshme dhe çka përmban ajo.

“Ai do të duhej të kthehej këtu dhe të thoshte njerëz unë e pash marrëveshjen, por jo nuk ka dashur sepse problem i tij është pse ai nuk është  lojtari kryesor. Unë besoj ai nuk e ka shqetësim shkëmbimin e territoreve, por pse nuk është para Thaçit”, ka thënë Limaj në T7.

Limaj ka thënë se do të ishte e mundur dhe nder për vendin, nënshkrimi i marrëveshjes mes dy vendeve në Shtëpinë e Bardhë.

“Tani kemi ardhur në një moment final dhe me një energji të shtuar mund të arrihet marrëveshja përfundimtare për njohje reciproke. Qeveria që vjen temë kryesore e ka dialogun. Ne nuk duhet lejojmë të hiqet interesimi amerikan. Taksa është largu dhe atë pa reciprocitet. Ky është problemi i këtij kryeministri”, ka shtuar Limaj.