Shtatë personat e arrestuar gjatë operacionit të fundit të SPAK në Shkodër dhe në disa qytete të tjera, janë lënë në burg nga Gjykata e Posaçme
Ata akuzohen si pjestarë të një grupi të strukturuar kriminal të trafikimit të kokainës, nga vendet e Amerikës Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Mes trafikantëve nën akuzë është edhe ish-shefi i krimeve në komisariatin nr.3, Erjon Dani, i cili sipas SPAK, bashkëpunoi me grupin kriminal duke e furnizuar atë me të dhëna të nxjerra nga sistemi TIMS. Dani është vetëdorëzuar në komisariatin e Himarës, pasi mësoi se ishte në kërkim nga SPAK.
Organizata e shtrirë në Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe Tiranë, besohet se ka mundur të trafikojë tonelata me kokainë, përmes një rrjeti ku janë përfshirë dhe korruptuar edhe punonjë e zyrtarë të drejtësisë.
Të dyshuarit sipas Prokurorisë, kanë përdorur aplikacionin “Sky ECC” për të koordinuar aktivitetin e paligjshëm ndërsa SPAK disponon edhe prova të tjera të ardhura nga shërbimet partnere.
Ndërkohë, disa persona të terë janë në kërkim, një pjesë e tyre besohet se ndodhen në Dubai dhe të tjerët, në vendet e Bashkimit Europian.