Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, duke kërkuar ndjesë për takimin e hershëm me kryeministrin Albin Kurti, foli për atë që u duken si koncesione për të arritur te një pajtim për nisjen e zbatimit të ligjit për të huajt dhe atij për automjetet, nga të cilët do të preket komuniteti serb në Kosovë, raporton Gazeta Express.
Sorensen tha se kanë “mirëpritur përkushtimin dhe zotimin e Kosovës për sa i përket sundimit të ligjit dhe vendimin e dhjetorit për zbatimin gradual të ligjit për të huajt dhe atë për automjete, që lejon një fushatë vetëdijësuese për ata që preken”.
“Kemi parasysh përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për integrimin e institucioneve të Kosovës për përfshirjen e komuniteteve në harmoni me zotimet që kanë dalë nga marrëveshjet e ndryshme me BE-në dhe për zotimin e Kurtit për amendamentimin e ligjit për të mos e ndërprerë ofrimin e shërbimeve në suaza të kornizës ligjore që ekziston. Të gjitha këto ndryshime ligjore kërkojnë kohë. Përpjekjet duhet të jenë përfshirëse dhe të konfirmohen në harmoni me të gjitha marrëveshjet e dialogut”.
Sorensen tha se kanë zhvilluar konsultime me përfaqësuesit e komunitetit serb për të gjetur pajtimin e tyre.
“Prioriteti kyç është që të sigurojë leje për punëtorë dhe studentë për një periudhë fillestare prej 12 muajve në mënyrë që të mos pengohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, të sigurohet vazhdimësia e shërbimeve dhe për këtë duhet të lejohet njohja e letërnjoftimeve deri në vitin 2026 dhe në të njëjtën kohë Qeveria e Kosovës duhet t’i regjistrojë individët të cilët në harmoni me ligjin e Kosovës dhe me statusin e tyre civil”.