Ligjëruesit e edicionit të ri të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Sislej Xhafa kthehet pas 47 viteve - Gazeta Express
string(101) "ligjeruesit-e-edicionit-te-ri-te-seminarit-nderkombetar-per-gjuhen-sislej-xhafa-kthehet-pas-47-viteve"

Ligjëruesit e edicionit të ri të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Sislej Xhafa kthehet pas 47 viteve

Arte

Gazeta Express

14/08/2024 15:53

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të filloj punimet më 19 gusht, duke shënuar këtë vit 50 vjetorin e themelimit. Në programin e ligjëratave që mbahen në kuadër të Seminarit, përfshihen studiues nga brenda e jashtë Kosovës. Sislej Xhafa njëri ndër të ftuarit e këtij edicioni kthehet në Seminarin e Prishtinës pas 47 viteve.

Sislej Xhafa, i lindur në Pejë (1970), është artist kosovar me famë botërore.

Lexo Edhe:

Me residencë në New York, ai ka ekspozuar në Amerikë, Japoni, Francë, Itali, Gjermani, Poloni, Angli etj, duke prezentuar para botës idetë e tij artistike të lidhura me situatën ekonomike, politike dhe sociale të shoqërisë ku jetojmë. Është themelues i Institutit për Art Bashkohor ARKIV në Pejë.

Në mars të vitit 2022, Xhafa u zgjodh akademik nderi i Akademisë së Arteve të Bukura të Firencës. Në Seminar, do të flasë për temën ‘Arti kosovar në Botë”, më 22 gusht nga ora 12:30. Në Seminarin e Prishtinës kthehet pas 47 viteve.

Phil Hubbard është ligjërues i lartë Emeritus në Univerzitetin e Stanfordit, ku ka qenë Drejtor i Programit të Gjuhës Angleze për Studentët e huaj (2003-2020).

Nga viti 1976-1980 shërbeu si asistent kërkimor i profesorit Leonard Newmark në Projektin UCSD për Gjuhën Shqipe.

Në vitin 1977 ka ndjekur Seminarin e Albanologjisë, kurse dizertacionin e doktoraturës në vitin 1980 e punoi për temën Sintaksa e kompleksit foljor të shqipes.

Ai është bashkautor i librave Shqipja e folur (1980) dhe Shqipja Standarde: Gramatikë referuse për studentët (1983). Në Seminar, Hubbard do të flasë për temën “Memories of the 1977 seminar: How it influenced my lifes path”, më 30 gusht nga ora 09:00.

Ranko Matasović është profesor në Univerzitetin e Zagrebit, në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale, aty edhe ku ka përfunduar studimet për gjuhësi dhe filozofi.

Me ftesë ka ligjëruar në Univerzitetin e Vjenës, Oksfordit, Leidenit e Heidelbergut. Në Zagreb ligjëron kurset e gjuhësisë Indo-Evropiane, gjuhëve kelte dhe tipologjisë gjuhësore. Mban titullin akademik nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kroacisë.

Në Seminar do të flasë për temën “Latin Loanwords in Albanian: Problems of Relative Chronology”, më 27 gusht nga ora 11:00.

Yll Rugova (1984) është dizajner grafik, tipograf dhe studiues i historisë së tipografisë. Studimi i tij ka në fokus historinë e tipografisë shqiptare dhe alfabeteve origjinale. Ka mbaruar studimet në nivelin baçelor dhe master në dizajn grafik pranë Fakultetit të Arteve, Universiteti i Prishtinës.

Ka qenë drejtor i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës dhe zëvendësministër për Kulturë Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës. Është themelues i hapësirës ekspozuese për artet pamore Motrat në Prishtinë dhe i platformës Prishtina në Histori. Ushtron veprimtarinë profesionale kreative edhe përmes grupit të dizajnit Trembelat.

Është kreatori i logos së Seminarit të 50-të.  Në Seminar do të flasë për temën “Alfabeti më i vjetër origjinal i shqipes: në dritën e një burimi të ri”, më 21 gusht nga ora 11:00.

Brian D.Joseph është gjuhëtar i specializuar për gjuhësinë historike dhe studiues i njohur në përmasa ndërkombëtare. Mban titullin profesor i Shquar (𝑑𝑖𝑠𝑡𝑖𝑛𝑔𝑢𝑖𝑠ℎ𝑒𝑑) në Univerzitetin e Ohaios.

Ka studiuar për gjuhësi të përgjithshme dhe gjuhët klasike në Univerzitetin e Jelit dhe u doktorua në Univerzitetin e Harvardit.

Është anëtar dhe kryetar i Shoqatës së Linguistëve të Amerikës, anëtar i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Amerikës si dhe anëtar i jashtëm i Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në Seminar do të flasë për temën “Geography and language: A tale of two villages”, më 29 gusht nga ora 10:30.

Seminari mbahet nga 19 deri më 30 gusht dhe diskutimet mbahen në sallën “Idriz Ajeti”, në Fakultetin e Filologjisë.

/Express