Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), të cilat, në mungesë të kontrollit parlamentar dhe pa një kuadër të përgjegjësisë institucionale ndaj qytetarëve dhe sektorit privat, po e ekspozojnë ekonominë e Republikës së Kosovës ndaj rrezikut të destabilizimit afatgjatë.
Sipas LBK-së, ky rrezik manifestohet përmes mbështetjes së pakushtëzuar ndaj vendimeve të ZRrE-së, të cilat kanë imponuar kalimin e detyruar të bizneseve në tregun e lirë të energjisë, përkundër:
• vendimeve të formës së prerë të gjykatave, që vërtetojnë shkeljen e ligjit,
• interesit strategjik ekonomik të vendit, dhe
• fakteve të dokumentuara për dëme të konsiderueshme ndaj sektorit prodhues, punësimit dhe qëndrueshmërisë financiare.
Përmes një komunikate për media, Lidhja e Bizneseve ka shprehur shqetësimin e saj, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të vendimeve lidhur me tregun e lirë të energjisë.
Sipas tyre, ZRrE nuk është mbi ligjin.
“ZRrE nuk ka as mandat ligjor e as autoritet institucional për të shpërfillur vendimet e gjykatave apo për të vepruar në kundërshtim me rendin juridik të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Sipas LBK-së, vendimet e Qeverisë në detyrë ndikojnë drejtpërdrejt në: të drejtat dhe garancitë ligjore të ndërmarrjeve private, mirëqenien e punëtorëve dhe familjeve të tyre, sigurinë e investimeve dhe stabilitetin e sistemit bankar dhe konkurrencën e drejtë në tregun vendor dhe rajonal, duhet të mbështeten në ligj, në transparencë dhe në parimet e shtetit të së drejtës – jo në interpretime të njëanshme dhe vendimmarrje të mbyllur.
“Ligji për tregun e energjisë parashikon kalimin në tregun e lirë vetëm kur ekzistojnë rrethana të plota për konkurrencë të drejtë dhe të hapur, dhe kur ky hap është në dobi të zhvillimit ekonomik dhe të sektorit privat. Asnjë ligj nuk legjitimon ndërhyrje të tilla që shkaktojnë shkatërrim të drejtpërdrejtë ekonomik, rritje disproporcionale të kostove të operimit, falimentime të heshtura dhe tkurrje të kapaciteteve prodhuese”, thuhet në komunikatë.
Krejt në fund LBK ka paralajmëruar se vazhdimi në këtë formë do të përshpejtojë falimentimin e ndërmarrjeve vendore.
Ata kanë kërkuar që ZRrE të pezullojë menjëherë vendimin për daljen e detyruar në tregun e lirë të energjisë, Qeveria dhe institucionet përgjegjëse të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të respektojnë vendimet e gjykatave dhe të nisë një dialog institucional dhe gjithëpërfshirës me përfaqësuesit e sektorit privat, në funksion të një zgjidhjeje të drejtë, të qëndrueshme dhe afatgjatë.