Lideri sfidohet në Mitrovicë - Gazeta Express

Lideri sfidohet në Mitrovicë

Moral Pozhegu

23/10/2020 20:30

Këtë fundjavë do të zhvillohen ndeshjet e xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në futboll

Superliga e futbollit vazhdon këtë fundjavë me ndeshjet e xhiros së tetë të saj.

Lideri Ballkani do ta vizitojë Mitrovicën, ku e pret Trepça ’89, shkruan Gazeta Express.

Mirlind Daku me shokë do ta kërkojnë fitoren e shtatë sezonale për ta ruajtur distancën ndaj ndjekësve.

Nga ana tjetër, “Minatorët” dinë të jenë të papërshtatshëm në shtëpi, prandaj edhe ata duan pikë nga ky takim.

Prishtina, pas fitoreve ndaj Besës e Feronikelit, do ta kërkojë fitoren edhe në duel me Gjilanin në shtëpi.

Nga ana tjetër, “Skifterat” nuk e kanë nisur sa duhet mirë sezonin dhe janë në kërkim të këndelljes.

Në këtë xhiro këndelljen e kërkojnë edhe Feronikeli e Llapi, të cilët do të ballafaqohen me Besën, respektivisht Arbërinë.

Ndërkaq, Drita do të mundohet ta harrojë humbjen nga Ballkani me një fitore në shtëpi ndaj Drenicës.

Kuqezinjtë nga ana e tyre do të kënaqeshin edhe me një barazim. /Gazeta Express/