Libri i ri: Gjenerali thirri takim sekret pas trazirave për t’ia pamundësuar Trumpit sulmin nuklear - Gazeta Express
string(97) "libri-i-ri-gjenerali-thirri-takim-sekret-pas-trazirave-per-tia-pamundesuar-trumpit-sulmin-nuklear"

Libri i ri: Gjenerali thirri takim sekret pas trazirave për t’ia pamundësuar Trumpit sulmin nuklear

Lajme

Gazeta Express

15/09/2021 13:20

Dy ditë pas trazirave të 6 janarit në Capitol, këshilltari më i lartë ushtarak i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura të ShBA-së, Gjeneral Mark Milley, mori masa sekrete për t’ia kufizuar mundësitë Trumpit që të ndërmarrë ndonjë sulm të rrezikshëm ushtarak ose që të përdorë armë bërthamore. Kështu thuhet në librin e ri, “Peril”, të shkruar nga gazetari legjendar, Bob Woodard dhe reporteri veteran i gazetës “Washington Post”, Robert Costa.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Lexo Edhe:

Autorët e këtij libri shkruajnë se Milley, i prekur thellë nga sulmi i 6 janarit, “ishte i sigurt se Trumpi ka pësuar rënie serioze mendore pas rezultatit të zgjedhjeve, sepse Trumpi u bërtiste zyrtarëve dhe e ndërtonte realitetin e vet alternativ rreth konspiracive të pafundme rreth zgjedhjeve.”

Për këtë arsye, Gjenerali Milley mori masa të jashtëzakonshme dhe thirri një takim sekret në zyrën e tij në Pentagon më 8 janar për ta rishikuar procesin për veprim ushtarak, përfshirë lëshimin e armëve bërthamore. Duke folur para zyrtarëve të lartë ushtarakë, nën mandatin e Qendrës Kombëtare për Komandë Ushtarake, në dhomën e luftës në Pentagon, Milley i udhëzoi zyrtarët që të mos marrin urdhra nga askush përderisa nuk është i përfshirë edhe ai.

“Pavarësisht se çfarë u thuhet, ju e bëni procedurën. E bëni procesin. Unë jam pjesë e procedurës”, u kishte thënë Milley zyrtarëve, shkruhet në libër. Ai më pas eci nëpër dhomë, e shikoi secilin oficer në sy dhe u kërkoi që të konfirmonin që e kanë kuptuar udhëzimin, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

Libri “Peril” është shkruar duke u mbështetur në më shumë se 200 intervista me pjesëmarrës të dorës së parë dhe dëshmitarë. Ai e përshkruan gjendjen e vendit në ditët e fundit të Trumpit në pushtet. Autorët kanë arritur që të sigurojnë dokumente, kalendarë, ditarë, shkresa elektronike, shënime nga takimet, transkripta dhe materiale të tjera.

Në libër shkruhet edhe për vendimin e Bidenit për të garuar për president, për gjashtë muajt e tij të parë në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe për arsyen pse ai i tërhoqi shpejt trupat nga Afganistani./Gazeta Express