Libri i javës/ Rezistenca kulturore: “Galeria Dodona 1997-1999” - Gazeta Express
string(59) "libri-i-javes-rezistenca-kulturore-galeria-dodona-1997-1999"

Arte

Donjeta Abazi

05/09/2025 14:33

Libri i javës/ Rezistenca kulturore: “Galeria Dodona 1997-1999”

Arte

Donjeta Abazi

05/09/2025 14:33

Libri “Galeria Dodona 1997–1999” i Alisa Canaj-Maliqit nuk është thjesht një përmbledhje aktivitetesh artistike; ai është dëshmi e një kohe kur arti në Kosovë ishte një formë rezistence dhe krijimtaria kulturore sfidonte rrethanat e vështira shoqërore

Libri “Galeria Dodona 1997-1999” bazohet në publikimin “Dekada e Dodonës” (Prishtinë, 2002), kushtuar 10-vjetorit të themelimit të teatrit “Dodona” (1991-2001), e fokusuar në aktivitetet e Alisa Canaj-Maliqit si drejtore e galerisë “Dodona”, si dhe punën si skenografe dhe kostumografe në teatrin “Dodona”. Në këtë publikim janë listuar të gjitha kontributet e Alisës, të cilat i ka realizuar me programet e “Dodonës”, sikundër edhe disa refleksione të mëvonshme, shkrime autoriale dhe intervista të papublikuara më parë.

Libri i Alisa Canaj-Maliqi, ndahet në 7 kapituj, deri tek prezantimi i katalogëve të ekspozitave që janë mbajtur në Galerinë ‘Dodona’ në periudhën e viteve 97’-99’.

Kapitujt përfshijnë: parathënien, përkushtim, shkrime nga Alisa Maliqi, Galeria “Dodona”: ekspozitat, programet e tjera të galerisë ‘Dodona’, angazhimet e Alisa Maliqit si skenografe dhe kostumografe dhe në fund katalogët.

Në pjesën e parë të librit, tek kapitulli i përkushtimit, autorja ka zgjedhur dy personazhe të cilat ishin figura të rëndësishme të Galerisë Dodona dhe të jetës kulturore të asaj kohe në vendin tonë. Agim Lluka dhe Faruk Begolli janë dy emrat e figurave të cilave Alisa ju dedikon faqet e para të librit në shenjë mirënjohje për bashkëpunimin në projektin ‘Dodona’, e përgjithësisht për punën e tyre në mbajtjen gjallë të kulturës në vendin tonë, në periudha të vështira të tij.

Në kapitullin “Si u bë Dodona me Galeri”? janë rrëfimet, që ndriçojnë historinë e formësimit të këtij intstitucioni të rëndësishëm të artit gjatë vitit 1997-1999. Pra Galeria u aftësua për veprimtari në fund të janarit të vitit 1997 dhe u përurua me ekspozitën e parë, atë të skulptorit Agim Cavdarbash, më 11 shkurt 1997.

Kapitulli tjetër paraqet intervistën e Alisa Maliqit dhen për revistën mujore “Sfera”, intervistë realizuar nga Arian Deva dhe Albert Heta, në të cilën flitet për lindjen e galerisë, ekspozitat që mund të vizitoheshin, klimën e artit gjatë asaj periudhe, ngjarjen që ka shënuar sezonin e galerisë etj.

Tek kapitulli “Dy perla të rezistencës kulturore të 90-ve: Hani i 2 Robertëve dhe Dodona”, janë shkruar rrëfimet e autores, kujtimet e saj në lidhje me këto dy objekte dhe punën e tyre, bashkëpunimet që kishin mes vete, takimet, bisedat me aktorë, këngëtar, politikan e gazetarë.

Tek këndi i ekspozitave, janë prezantuar tekstet kuratoriale bashkë me imazhe të artistëve, e që numërojnë diku rreth 19 ekspozita.

Artistet e prezantuar në këtë kapitull janë: Agim Cavdarbasha, Mehmet Behluli, Shaip Citaku, Ruina Xhaferi, Visar Mulliqi, Teuta Pula, Rexhep Ferri, Agush Beiqiri, Nusret Salihamixhiqi, Adrain Deva, Arian Berisha, Tahir Emra, Zake Prelvukaj, Agim Qena dhe Jeton Mikullovci.

Programet tjera, aktivitetet tjera të mbajtura në atë periudhë në Galeri, përfshijnë promovim reviste, promovime librash, shfaqje të filmave dokumentar etj.

Kapitulli i parafundit rrëfen angazhimet e Alisa Maliqit si skenografe dhe kostumografe dhe në fund paraqiten të gjithë katalogët e ekspozitave të 14 artistëve. 

Galeria Dodona 1997–1999: Kujtesa e një rezistence kulturore

Libri “Galeria Dodona 1997–1999” i Alisa Canaj-Maliqit nuk është thjesht një përmbledhje aktivitetesh artistike; ai është dëshmi e një kohe kur arti në Kosovë ishte një formë rezistence dhe krijimtaria kulturore sfidonte rrethanat e vështira shoqërore. Përmes rrëfimeve, kujtimeve dhe dokumenteve të arkivuara, libri sjell në jetë atmosferën e hapësirës që nuk ishte vetëm një galeri, por një qendër takimesh, debatesh dhe bashkëpunimesh artistike.

Në fokus të librit qëndron roli i Galerisë Dodona si hapësirë e lirë për artistët e të gjitha gjeneratave, duke kontribuar në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës gjatë një periudhe sfiduese. Përmes pasqyrës së ekspozitave, programeve artistike dhe angazhimeve personale të autorës, lexuesi kupton jo vetëm aktivitetet e galerisë, por edhe energjinë krijuese dhe ndikimin e saj në komunitetin artistik.

Ky libër ka rëndësi të veçantë për publikun e gjerë sepse dokumenton një histori që shpesh nuk është shkruar në librat e tjerë: përballimin e vështirësive përmes artit, bashkëpunimin mes artistëve dhe krijimin e një trashëgimie kulturore që sot vazhdon të frymëzojë. Në këtë mënyrë, “Galeria Dodona 1997–1999” nuk është thjesht një libër për galeritë apo ekspozitat, por një pasqyrë e gjallë e rezistencës kulturore dhe e forcës së komunitetit artistik në Kosovë.

“Galeria Dodona 1997–1999” është më shumë se një kronikë; është një testament i energjisë krijuese dhe i përpjekjes për të ruajtur identitetin artistik dhe kulturor të një komuniteti në një kohë sfiduese.

Rreth autores:

Alisa Canaj-Maliqi është arkitekte, skenografe dhe kostumografe. Ajo ishte drejtore e Galerisë “Dodona” në vitet ’90. Canaj-Maliqi ka qenë kontribuuese kyçe edhe për përgatitjen e botimit “Dekada e Dodonës” në vitin 2002, ngase, si edhe stafi i teatrit, i ka ruajtur, sistemuar dhe arkivuar me përkushtim të gjitha dokumentet, katalogët, fotografitë dhe shkrimet në mediet rreth aktiviteteve të Galerisë. Pos që ka qenë udhëheqëse e Galerisë, Alisa ka bashkëpunuar me Faruk Begollin për realizimin e pesë shfaqjeve të “Dodonës” si skenografe, kostumografe dhe disa pllakateve dhe fllajerave.

/Gazeta Express