Rreth 236 mijë nxënës në të gjithë vendin po marrin falas librat për vitin e ri shkollor 2025-2026.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau në rrjetet sociale opinionet e prindërve dhe nxënësve në prag të nisjes së shkollës.
“Mirënjohja e prindërve dhe gëzimi i fëmijëve në prag të fillimit të vitit të ri shkollor për librat falas, një mbështetje direkte për çdo familje”, shkruan Manastirliu.
“Sot kemi ardhur me fëmijët për të tërhequr librat, një iniciativë shumë e mirë nga Ministria e Arsimit, ku librat shpërndahen falas. Është një ndihmesë shumë e madhe për të gjithë prindërit. I uroj suksese nxënësve dhe stafit pedagogjik”, u shpreh nëna e fëmijëve në shkollën Dora d’ Istria.
Një tjetër prind theksoi se “kjo iniciativë është një ndihmë shumë e madhe për ne dhe sidomos për prindërit që kanë shumë fëmijë”.
“Shikojmë një organizim të përkryer nga MAS dhe jemi të kënaqur që librat janë falas dhe fëmijët ndihen shumë të motivuar në shkollat shtetërore”, tha një prind.
Një tjetër prind u shpreh se “nisma e librave falas më duket shumë e drejtë, pasi na ndihmon ne prindërit të përballojmë shpenzimet e tjera për fëmijët”.
“Jam shumë e lumtur që po filloj klasën e dytë dhe po pres me padurim të lexoj libra sa më shumë”, tha një nxënëse.
Një tjetër nxënës u shpreh se “jam shumë i lumtur se kam ardhur të marr librat e rinj”.
Një nxënës në klasën e 9-të tha se “sot pas 3 muajsh pushime verore kemi ardhur në shkollë plot energji për të filluar këtë vit të ri shkollor”.