Liberalizimi i vizave dje, sot dhe nesër - Gazeta Express
string(39) "liberalizimi-i-vizave-dje-sot-dhe-neser"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

29/11/2022 19:41

Liberalizimi i vizave dje, sot dhe nesër

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

29/11/2022 19:41

Paralelisht me procesin e liberalizimit të vizave, Kosova ka të hapur edhe një proces të dialogut me Serbinë, për të cilin Brukseli po kërkon rezultate konkrete. Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, nuk duket se i ka të harmonizuara veprimet asisoj që ta ecë përpara këtë proces. Në gjithë këtë mes, tendosja e raporteve me BE-në, apo qoftë edhe me ndonjërin nga shtetet më me ndikim në këtë union, mund të prodhojë pasoja jo veç për dialogun, por edhe për liberalizimin e vizave.

Zelfije Zeneli

Liberalizimi i vizave mori edhe një herë vëmendje të madhe si temë në shoqërinë kosovare gjatë tetorit të këtij viti. Kjo, që nga momenti kur u mor vesh se grupi punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian do ta fuste për herë të parë në rend të ditës këtë çështje. Një veprim i tillë u inicua kur ky Këshill po kryesohet nga Presidenca Çeke, shtet ky që veçse ka shprehur hapur mbështetjen për Kosovën në këtë proces.

Në letrën që Presidenca çeke ua nisi shteteve të Këshillit të BE-së, vlerëson lart përpjekjet për reforma të shteteve të Ballkanit Përëndimor. Për rastin e Kosovës, specifikisht çështjen e liberalizimit, e cilëson proces të vonuar, duke vënë në pah se kjo gjë përveç se mund të pengojë në rrugëtimin evropian të shtetit kosovar, mund të ndikojë negativisht në besueshmërinë e kosovarëve në korrektësinë e BE-së.

Sidoqoftë, ky vullnet i shprehur mjaft qartë nga Presidenca Çeke, ani pse u mirërprit dhe mbështet nga vendet anëtare të Këshillit, pati pengesë një propozim të ri nga Franca, i cili po interpretohet edhe si kushtëzim. Shteti francez kërkoi ndërlidhjen e këtij procesi me funksionalizimin e sistemit ETIAS, sistemi evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit. Ky propozim gjeti edhe mbështetjen e Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës, kjo e fundit në mesin e pesë shteteve të BE-së që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Një gjë e tillë nuk solli diçka shumë optimiste, të paktën jo siç pritej. Katër vite pasi Komisioni Evropian kishte rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të parë, pra në vitin 2018; edhe këtë herë, në raportin vjetor të progresit e rikonfirmoi se rekomandimi mbetet në fuqi gjatë takimit të 12 tetorit. Megjithatë, kjo s’përbën risi në këtë proces, duke ditur se edhe Komisioni Evropian, edhe Parlamenti Evropian, janë dy institucione të BE-së që vazhdimisht kanë mbështetur dhe rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sikurse edhe para takimit të tetorit, edhe pas tij, Presidenca Çeke vijon të jetë e bindur se ky proces do ta gjë përkrahjen edhe në Këshillin e BE-së. Besimin e saj nuk e zbeh as fakti që vendimet në këtë institucion kërkojnë votën e shumicës së kualifikuar.

Në anën tjetër, optimizëm shihet edhe nga krerët e institucioneve kosovare, sado që një gjë e tillë po shfaqet me kujdes. Madje, presidentja e shtetit Vjosa Osmani, në një intervistë, e pyetur për këtë çështje, i referohej vetes si “optimiste e kujdesshme”. Kurse, kryeministri Albin Kurti, po ashtu shfaqet i matur në lidhje me afatet, duke potencuar vazhdimisht vetëm faktin se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret.

Të dy këta liderë, aktualisht në krye të dy institucioneve kryesore të shtetit, në të kaluarën si opozitarë kanë kritikuar paraardhësit e tyre për mashtrim të qytetarëve dhe populizëm në lidhje me këtë proces. Derisa, ndaj tyre, oponentët politik hedhin akuza që si opozitarë kanë penguar liberalizimin gjatë kohës sa kundërshtonin demarkacionin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, periudhë ajo kur demarkacioni thuhej se ishte kriteri i vundit që çonte në heqjen e regjimit të vizave.

Duke kujtuar se liderët institucional të Kosovës premtonin se liberalizimi i vizave do të ndodhte qysh në vitin 2012, duke pasur parasysh deklarimet e ndryshme e përplasjet e vazhdueshme për këtë çështje mes akterëve të klasës politike, ecuria e këtij procesi nuk duket shumë ndryshme nga e djeshmja e tij. Për rrjedhojë, e rëndësishme për Kosovën ngelet e nesërmja sa i përket liberalizimit.

Grupi punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian pritet të zhvillojë një takim edhe gjatë nëntorit. Pavarësisht që tashmë është i njohur vullneti politik i Presidencës Çeke për ta çuar përpara procesin e liberalizimit, nuk dihet nëse çështja “ETIAS” do të shndërrohet në bllokadë për ecurinë e mëtejme. Krahas kësaj, zërat e diplomatëve evropianë që kërkojnë finalizim të këtij procesi janë shtuar. Kjo mund të konsiderohet shpresëdhënëse.

Paralelisht me procesin e liberalizimit të vizave, Kosova ka të hapur edhe një proces të dialogut me Serbinë, për të cilin Brukseli po kërkon rezultate konkrete. Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, nuk duket se i ka të harmonizuara veprimet asisoj që ta ecë përpara këtë proces. Në gjithë këtë mes, tendosja e raporteve me BE-në, apo qoftë edhe me ndonjërin nga shtetet më me ndikim në këtë union, mund të prodhojë pasoja jo veç për dialogun, por edhe për liberalizimin e vizave.

Zelfije Zeneli, Studente ne Fakultetin e Gazetarise