Një incident me sfond elektoral është shënuar mbrëmjen e djeshme në Lezhë, ku dy grupe mbështetësish, njëri i Partisë Demokratike dhe tjetri i Partisë Socialiste, janë përfshirë në një përplasje në rrugë. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës dhe ka përfshirë edhe zyrtarë lokalë si nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Fatjon Zefi, dhe kandidati Eduart Ndocaj.
Opozita pretendon se janë ndaluar automjete për shkak të dyshimeve për blerje votash, ndërsa pala tjetër i mohon këto akuza. Policia është thirrur në vendngjarje për të qetësuar situatën. Ende nuk ka një version zyrtar për zhvillimet.
Në reagimin e tij publik, kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, akuzoi opozitën për nxitje të tensioneve dhe pengim të lëvizjes së lirë. Ai deklaroi:“Bllokimi i rrugës së nënkryetarit Fatjon Zefi dhe shpifjet për blerje votash janë provokime të ulëta dhe shkelje flagrante e ligjit. Lezha nuk e meriton këtë sjellje primitive.”
Ndreu kërkoi ndërhyrjen e institucioneve ligjzbatuese dhe u bëri thirrje mbështetësve të PS-së të shmangin përfshirjen në provokime.