Me datë 9 mars, në Teatrin Oda mbahet leximi skenik nga Shpëtim Selmani, “Fajin e ka Bill Gates”.
Lexime nga: Blerta Gubetini, Zana Hoxha dhe Shpëtim Selmani
PËR DRAMËN:
Një çift i ri bashkëshortor ballafaqohet me ankthin, paranojat dhe stresin që shkakton situata pandemike kudo në botë. Gruaja nga Shqipëria dhe Burri nga Kosova përveç kësaj japin edhe shembuj të stereotipeve, paragjykimeve, keqkuptimeve mes shqiptarëve nga të dy anët e kufirit.
Përmes dramës njëkohësisht pasqyrohet pasiguria e qenies njerëzore gjatë vitit të fundit. Të paaftë për ta kuptuar situatën ata do të gjejnë fajtorët, do të njohin të metat e tyre dhe në këtë mënyrë do ta fuqizojnë konspiracionin duke hedhur teori të ndryshme mbi gjendjen në të cilën është katandisur e gjithë bota.
Drama është një triller i psikologjisë njerëzore dhe si e tillë ka synim ta qetësojë dhe në të njëjtën mënyrë ta argëtojë audiencën e cila është pjesë e pashmangshme e situatës, në të cilën zbulohen kontradiktat, shpresat, dashuritë e dy personazheve, të humbur në shtëpinë e tyre.