E ardhmja e Robert Lewandowskit te Barcelona vazhdon të mbetet një pikëpyetje.
Pavarësisht zërave për një largim të mundshëm në fund të sezonit dhe deklaratave të bëra më herët nga bashkëshortja e tij, që e cilësonte këtë si “ndoshta sezonin e fundit në Barcelonë”, sulmuesi polak mbetet shumë i kujdesshëm.
Në një intervistë për “The Athletic”, ai pranoi se ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen e tij, përcjell “Gazeta Express”.
“Nuk e di ende. Duhet t’i shoh ndjesitë. Për momentin nuk mund të them asgjë për vendimin tim, sepse nuk jam as 50% i sigurt për drejtimin që do të marr.”
Sulmuesi 37-vjeçar theksoi se vendimi mund të merret brenda disa muajve dhe se nuk ndjen presion për ta marrë menjëherë.
“Me moshën dhe përvojën që kam, nuk duhet të vendos menjëherë. Ndoshta pas tre muajsh do të duhet të vendos.”
Pavarësisht pasigurive për të ardhmen, Lewandowski foli me krenari për eksperiencën e tij te Barcelona, duke theksuar se gjatë këtyre viteve ka kuptuar sa shumë punë dhe përkushtim kërkohet për ta mbajtur një klub si Barcelona në nivelet më të larta.
Deri tani ai ka shënuar 115 gola me fanellën “Blaugrana”. /Gazeta Express