Pas disa javësh diskutimesh dhe pritjesh, Bashkia e Fierit është gati të prezantojë ekipin e ri drejtues.
Sot pritet të zyrtarizohen emrat e katër nënkryetarëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm, si pjesë e një riorganizimi që synon të sjellë më shumë efikasitet në administrimin lokal.
Ndryshimet vijnë në kuadër të reformës në burimet njerëzore dhe pozicionet drejtuese brenda institucionit, ndërsa drejtuesja politike e Qarkut Fier dhe njëherazi zëvendëskryeministrja Belinda Balluku pritet të bëjë publike emrat që do të marrin detyrat e reja në krye të bashkisë.
Ndër emrat që do të marrin detyrën e nënkryetarëve janë Nusret Avdullai dhe Mirela Pitushi, ish-deputetë të Partisë Socialiste, si dhe Mariglen Hoxha, një emër i njohur nga gara elektorale si kandidat për deputet. Po ashtu, Erald Qirio, aktualisht në detyrën e administratorit të Njësisë Administrative Qendër, pritet të jetë pjesë e këtij ekipi të ri drejtues në rolin e nënkryetarit.