Letonia shet “Shtëpinë e Moskës” – të ardhurat do t’i jepen Ukrainës - Gazeta Express
string(63) "letonia-shet-shtepine-e-moskes-te-ardhurat-do-ti-jepen-ukraines"

Lajme

Gazeta Express

07/08/2025 13:22

Letonia shet “Shtëpinë e Moskës” – të ardhurat do t’i jepen Ukrainës

Lajme

Gazeta Express

07/08/2025 13:22

Në Letoni, Shtëpia e Moskës, e konfiskuar nga rusët, po hidhet në ankand – fitimet do t’i dhurohen Ukrainës

Shtëpia e Moskës, një ndërtesë simbolike dhe për shumëkënd e diskutueshme në qendër të kryeqytetit letonez, Riga po del në ankand, pasi u konfiskua dhe u nacionalizua nga shteti leton në vitin 2024.

Kjo ndërtesë ishte prej kohësh në pronësi të Federatës Ruse, por në kuadër të masave të marra nga Letonia për të shkëputur lidhjet ekonomike dhe simbolike me regjimin rus, Parlamenti i Letonisë mori vendimin për ta shtetëzuar atë.

Sipas autoriteteve letoneze, të ardhurat e përfituara nga shitja e kësaj prone do të dhurohen në mbështetje të Ukrainës, si një akt solidariteti dhe mbështetjeje për luftën që ajo po zhvillon kundër agresionit rus.

Pas vendimit për nacionalizim, qeveria letone vendosi që ndërtesa, së bashku me tokën ku ndodhet, të shitej përmes një ankandi publik. Megjithatë, procesi nuk ka qenë i lehtë. Deri më tani janë mbajtur katër ankande, të cilat kanë rezultuar të pasuksesshme, për shkak të mungesës së blerësve të interesuar, ndoshta për shkak të çmimit të lartë ose simbolikës së ngarkuar politike që e shoqëron pronën, raporton Telegrafi

Tani, autoritetet do të zhvillojnë për herë të pestë ankandin për shitjen e Shtëpisë së Moskës. Procedura e re do të nisë më 8 gusht 2025 dhe do të zgjasë për një muaj, deri më 8 shtator. Çmimi fillestar i vendosur për këtë ankand është 2.1 miliardë euro, me një rritje minimale prej 10 mijë eurosh për çdo ofertë të re.

Megjithëse pjesëmarrja në ankandet e mëparshme ka qenë e ulët, qeveria shpreson që, me kalimin e kohës dhe duke rritur ndërgjegjësimin për qëllimin humanitar të shitjes, të gjenden blerës të gatshëm për të investuar në këtë pronë të rëndësishme.

Ndryshe, shuma që do të sigurohet nga ky transaksion do të përdoret për të ndihmuar popullin ukrainas dhe për të kontribuar në rindërtimin e zonave të shkatërruara nga lufta.