Letërsia dhe simptomat e tjera të shoqërisë - Panairi i Librit të Lajpcigut 2021 - Gazeta Express
string(78) "letersia-dhe-simptomat-e-tjera-te-shoqerise-panairi-i-librit-te-lajpcigut-2021"

Letërsia dhe simptomat e tjera të shoqërisë – Panairi i Librit të Lajpcigut 2021

Arte

Gazeta Express

03/06/2021 14:32

Edicioni i sivjetshëm Panairit të Librit në Lajpcig i kujtoi lexuesit se ka edhe disa indikatorë të tjerë, përtej incidencave të koronës, që shërbejnë për t’i matur pulsin shoqërisë

DW

Lexo Edhe:

Ishte një edicion i çuditshëm edicioni i sivjetshëm i Panairit të Librit në Lajpcig. Zakonisht mbahet në mars, por organizatorët e kishin shtyrë festivalin “Leipzig liest” (Lajpcigu lexon) enkas për në fund të muajit maj. Shpresa e tyre:  shifrat e pandemisë do të lejonin së paku lexime në ambiente të hapura. Pandemia e lejoi. Por befasinë e radhës do ta sillte i ftohti i papritur pikërisht të vetmen ditë të leximit në publik të serisë “Arkipel Jugosllavia”, fokusi i projektit të rrjetit TRADUKI (të premten në mbrëmje, 28.05.) përpara Shtëpisë së Librit në Lajpcig.  Në këtë lexim, të titulluar “Ditë të mira”, do t’i prezantoheshin publikut, poeti kosovar, Shpëtim Selmani, krahas autorëve nga rajoni, Lana Bastašić-it (Bosnjë dhe Hercegovinë), Sandra Gugić-it, shkrimtare austriake nga Serbia dhe Tijan Silas, emigruar nga Sarajeva në Gjermani.

Trashëgimtarë të vuajtjes

Shpëtim Selmani, të cilin publiku shqiptar e njeh edhe si aktor teatri në Qendrën Multimedia të Prishtinës, por edhe filmi (Cirku Flutures), vitin e kaluar u shpall fitues i Çmimit Europian te Letërsisë 2020. “Libërthi i dashurisë” (Botimet Armagedoni) është një radhë reflektimesh relativisht të shkurtra për jetën e sotme në Kosovën e Pasluftës. “Lufta qëndron e patrazuar në hyrjen e secilit libër që na kanë falur zotat”, shkruan diku Selmani dhe shënjon kështu zanafillën e diferencë së parë të bërë në këtë territor të ish-Jugosllavisë, në orën e parë të tij. 

Logoja Common Ground – Letërsi nga Evropa Juglindore, një projekt i rrjetit TRADUKI

Libri u krijua në një fazë vendimtare për autorin, një hark kohor prej disa muajsh brenda të cilit ai – asokohe 30 vjeçar – humbi të atin dhe u bë vetë baba. Nëse ka diçka që Selmani mundohet t’i rrijë sa më larg, duket se është kitsch-i. Humori i zi ose fatalizmi hedonist duket se është zgjidhja që lidh paradoksin e këtyre dy ngjarjeve biologjikisht të rëndomta, por kyçe në rrafshin personal. 

“Ai më la dhe kuptova se do të bëhesha baba. Dikush po rregullonte rendin e gjërave, ciklin e hershëm të zhvillimit njerëzor. Të gjithë ne ishim trashëgimtarë të vuajtjes, përulësisht po i shërbenim asaj”, shkruan Selmani. 

Vetmitar hedonist

Në një shoqëri, ku narracioni nis me luftë e përfundon me luftë, shkrimtari nonkonformist nuk ka shumë shokë, ai e ndien veten “vetmitar”, por pa e humbur hedonizmin e brendshëm: “Flutur e lumtur që përvëlohet në dritë. Apolitik. Atomik. Modern.”  Më vonë, në Lajpcig, edhe në përgjigje të pyetjes së moderatores ai do të rrëfente strategjinë e mbijetesës: Unë e kam gjetur lirinë, brenda një rrethi të arësyeshmërisë. 

Aktori gjerman Thorsten Giese duke lexuar në gjermanisht pjesë nga Libërthi i Dashurisë, së Shpëtim Selmanit gjatë mbrëmjes së vetme letrare të Tradukit në Panair. Selmanin e prezantoi shkrimtarja dhe përkthyesja nga Berlini, Ani Wilms.

Një lloj migrimi i brendshëm, kaq tipik për shkrimtarët aktualë të kohës së sotme, teksa shohin që parandjenjat e tyre prej Kasandre hasin në vesh të shurdhër 
Si mund të ndikojmë ne, pyet, moderatorja, shkrimtarja shqiptaro gjermane Ani Wilms, të arrijmë të depërtojmë tek njerëzit që të na dëgjojnë? 

“Shpresën e ka secili brenda vetes, neve nuk na takon të ndërhyjmë”, përgjigjet ai. Në libërth diku tjetër ai ke shprehur me fjalët:“Po të isha Zot, Zot na ruaj! Do t’ua falja njerëzve vetëm një gjë, veten e tyre, pastaj do t’i braktisja përgjithmonë.”

Liria brenda një rrethi të arsyeshëm për të mos lundruar kundër rrymës, siç thotë Selmani, duket se është modeli edhe i Blerina Rogova Gaxhës, apo i Arian Lekës, që ishin gjithashtu të pranishëm në panelet vetëm virtuale të “Arkipelagut Jugosllav”, që ishte fokusi i sivjetshëm i programit Common Ground të rrjetit TRADUKI.

Arian Leka i ka kushtuar një ese të tërë Arkipelagut Jugosllav në librin më të fundit të tij të botuar në gjermanisht, në shtëpinë botuese Althea, të botuesit Detlev Stein, i cili u nda parakohe nga jeta vitin e kaluar. 

Ai e quan atë Arkigulagu jugosllav, një fjalë e formuar nga arkipelag dhe gulag, një term ky, me të cilin nuk do të pajtohej shkrimtari  Andrej Nikolaidis, nga Mali i Zi, edhe ky një fitues i Çmimit Evropian të Letërsisë, si Selmani. Ndryshe nga shumë autorë të ftuar në panair, Nikolaidisi nuk e fsheh nostalgjinë që ka për kohën e Jugosllavisë. “Jugosllavia u krijua si pasojë e antikolonializmit dhe antifashizmit dhe doli nga një botë që nuk kishte ekzistuar më parë”, tha ai duke justifikuar gabimet e atëhershme të regjimit titist. Ndërsa sot: “Kemi një gjuhë, katër emra dhe një të kaluar lufte! Kjo e kaluar lufte është e përbashkët”. 

Shkrimtari rus, Sergej Lebedev, teksa analizon pasojat e vitit 1991 mbi ish-Bashkimit Sovjetik, shpreh dhe kritikoi politikën jokritike të Perëndimit ndaj Jelcinit, që lejoi që në Rusi të instalohej një regjim, që në thelb nuk ndryshon shumë nga ai sovjetik. Simptoma kryesore është mungesa e ndëshkimit të kriminelëve, si të periudhës së komunizmit, ashtu edhe të luftërave të mëpasshme, si ajo Krimesë, apo Çeçenisë. “Ne kemi krime, por nuk kemi ndëshkime”, tha Lebedev, duke perifrazuar Dostojevskin  “kemi krime, por nuk kemi kriminelë”./DW