Letër e hapur drejtuar Presidentes - Gazeta Express
string(34) "leter-e-hapur-drejtuar-presidentes"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

26/08/2021 12:33

Letër e hapur drejtuar Presidentes

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

26/08/2021 12:33

E nderuara Presidentja ime- e jona, znj.Osmani

Shumë herë jam ndjerë e vogël, e pafuqishme dhe e indinjuar me çfarë po ndodhë në vendin tonë, por nuk i kam drejtuar gishtin askujt për t’i kërkuar përgjegjësi për këto skenare horrori që po bëjnë marshin përditë! Mbase për zhgënjim apo dyshim që gjërat nuk do marrin rrjedhë tjetër nga çfarë jemi mësuar deri tani: deklarata me tone elegjie, dënimi verbal i dhunës, por ASNJË veprim për të ndryshuar këtë liri të mirëqenë të dhunuesve, që kanë mbushur rrugët tona dhe tallen me impotencën e institucioneve që vetëm zhurmë promocionesh bëjnë.

Po ju drejtohem juve me gjithë respektin që gëzoni si autoritet i zgjedhur dhe gjithë bartëseve të institucioneve publike njëkohësisht, sepse jam njëra nga ata që ju zgjodha për të na përfaqësuar, jo vetëm në ditë të mira, por dhe në këto që as dielli s’po i mbulon me dritë!

Po ju drejtohem juve, pasi aty ku jeni ju, premtimet janë borxhe dhe ndryshimi s’është luks, por detyrë dhe përgjegjësi morale! Po ju drejtohem që t’ju kërkojë t’i ndërroni kahjen këtij mentaliteti të instaluar gabimisht që mund të sulmosh dhe t’ia dalësh paq. Po ju kërkojë të shikoni se ku kemi ngecur dhe çfarë s’po funksionon. Po ju kërkojë që të skanojmë funksionalizimin e sistemit të drejtësisë, të kërkojmë llogari nga organet e rendit që po reagojnë me vonesë ose hiç, të kërkojmë nga Këshilli Gjyqësor të mbajë përgjegjësi për neglizhencë dhe për dosjet e lëna në arkivë. Po ju kërkojë që aty ku guximi qytetarë troket, të ketë njerëz me integritet, etikë profesionale, moral njerëzorë dhe me njohuri themelore për poziconin që bartin.

Jemi në dijeni për arkiva të mbingarkuara me raste që bëjnë protokole çdo ditë, por sërish ndalojnë hapin aty, pa përgjigje dhe pa ndëshkim! Pyetem kush mbanë përgjegjësi për këtë, kujt duhet ti kërkojmë llogari?! Këshillit Gjyqësorë, strukturave mbrojtëse, organeve të rendit, një ligjeslacioni të varfëruar apo një procesi verifikimi që mbanë radhën e pritjes akoma? Ku po çalojmë si shtet që këto raste po shumëzohen? Pyetem, edhe sa duhet të përshkallëzohet ky fenomen qe ne të hapim sytë si shoqëri? Po drithërohem, kur akoma po arsyetojmë sulmuesit me argumente mediokër si një skenar pa autorë e regji!

Prandaj, ju lutem që të mos angazhoheni të bëni maksimumin dhe as të pamundurën, por që të bëni të MUNDURËN, atë që prej kohësh DUHEJ bërë që këto ngjarje të mos kthehen në tragjedi. Po ju drejtohem me bindjen që do veproni duke aktivizuar gjithë akterët, që ky qiell i skuqur nga çfarë po i shohin sytë çdo ditë të mos nxihet më, nga një tjetër e çjerrë e pamundësisë. Që të mos fiket dhe një yll nga mendësia e ligë që na ka mbërthyer dhe që drejtësia të mos kursejë asnjë! Po ju lutem të mos reagoni vetëm pse jeni grua dhe për gruan, por të lëvizni gurët e fuqisë së veprimit për të parandaluar një dramë tjetër. Të siguroheni që do kthehet besimi i shoqërisë civile në strukturat e drejtësisë që kur

akuzon do jesh e/i dëgjuar dhe të mos kesh frikë që do margjinalizohesh apo dhe të akuzohesh që e ke nxitur!

Prandaj, po kërkoj fuqishëm që ta shtyni heshtjen të bërtas NDALO, ndaj dhunës së përditshme që është bërë stil jete në këtë vend që veç i lirë dhe demokratik nuk mund quhet! Që nuk do mjaftoheni duke mbështetur turmat që duartrokasin gratë vetëm kur sjellin trofe në shtëpi dhe trumpetohen me shkrime si ”na zbardhet fytyrën e s’po mundemi me ju mbrojt”. Po ju kërkojë që të verifikoni çdo individi që do i besoni pozicione me peshë veprimi që për së brendshmi nuk do e dështojnë drejtësinë dhe për ata që e bëjnë të mos ketë asnjë kompromis. Të bëni ligjin e së drejtës dhe ndëshkuesin e së keqes! Po ju lutem të garantoni funksionimin kushtetues të shtetit!

Mjaft i izoluam këto raste duke i konsideruar të turpshme, kur duhet t’i quajmë ashtu siç janë vërtetë: Dështim i një sistemi gjyqësorë! Dështim i autoriteteve të drejtësisë! Dështim i strukturave mbrojtëse! Dështim i funksionalizimit të institucioneve të shtetit! Dështim shoqërorë! Fatkeqësisht, kemi dështuar dhe po vazhdojmë ta bëjmë çdo ditë, të gjithë NE, bashkërisht!

Nuk e mbështesë dhunën në asnjë formë të saj, ashtu siç nuk e mbështesë faktin e lirisë së mirëqenë për dhunuesit, që qeshen me luftën e drejtësisë që po vazhdon të dështojë beteja përditë, teksa zvarritet e heshtur rrugëve dhe harresa menjëherë i fshinë. Po shkojmë drejt një krize identiteti duke pritur që diçka do ndryshoj dhe vetëm sa shtohen ndodhitë, kur krimi nuk merr më shumë se kritikë.

E nderuara Presidente, ky i imi nuk është mllef, inat, urrejtje, as subjektivitet i tepruar emocional, është vëzhgim i këtij realiteti që po zgjeron perimetrin orë e çast! Është obligim qytetarë që kërkon llogari për një sistem të karbonizuar në esencë. Është neveri për këtë klasë shoqërore që çdo herë ka një POR, për çdo ngjarje me nuanca të tilla. Është revoltë për ne qe mjaftohemi duke bërë sehire në rrjetet sociale me statuse që efektin e kanë vetëm për audience.

Të ngresh zërin është nismë, vetëdijesim, ndërgjegjësim, por vetëm Veprimi institucional dhe pastaj ai shoqërorë mund të sjellin ndryshim ndaj kësaj sëmundje që na ka prekur kockat dhe mushkërinë!

Prandaj, ju lutem, vendoseni fjalën MJAFT në veprim dhe filloni të na bëni të besojmë që këtu ka shpresë për më mirë dhe që e nesërmja të mos na zgjoj me një tjetër tragjedi!

Me respekt,
Kaltrina Hoxha