Less: Kurti po përpiqet që përmes Erdoganit ta kundërshtojë SHBA-në për Asociacionin - Gazeta Express
string(83) "less-kurti-po-perpiqet-qe-permes-erdoganit-ta-kundershtoje-shba-ne-per-asociacionin"

Lajme

Gazeta Express

08/02/2023 14:30

Less: Kurti po përpiqet që përmes Erdoganit ta kundërshtojë SHBA-në për Asociacionin

Lajme

Gazeta Express

08/02/2023 14:30

Përballë një presioni në rritje nga SHBA-ja për ta themeluar Asociacionin, kryeministri Albin Kurti i vendosi disa kushte dhe të nesërmen shkoi në Stamboll për t’u takuar për herë të parë me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. Shpejt u kthye në Prishtinë dhe i priti në zyrën e tij disa përfaqësues politikë të shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi, të cilët po kërkojnë reciprocitet të të drejtave me serbët në Kosovë. Ish-diplomati britanik, Timothy Less i sheh të ndërlidhura ngjarjet e fillimit të shkurtit. Ato i përcepton si një përpjekje të Kurtit për t’i mbijetuar presionit amerikan përmes Erdoganit. Kjo gjë, sipas Less, do t’i leverdiste edhe presidentit të Turqisë që dëshiron aq shumë ta zgjerojë ndikimin e tij në Ballkan.

Shqiprim Salihu / Gazeta Express

Lexo Edhe:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka pranuar propozimin europian për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por vazhdon të ngurrojë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung ka raportuar se Kurti në takimet e fundit me diplomatët e huaj ka gjetur arsyetime për të mos e formuar Asociacionin. Por, formimi i kësaj bashkësie komunash tash është bërë kërkesë e prerë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pasi këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar publikuan një shkrim përmes të cilit thanë se ka ardhur koha për ta implementuar marrëveshjen për Asociacionin, në ditën e fundit të janarit Ambasada Amerikane në Prishtinë organizoi një diskutim për këtë çështje. Kurti nuk u ftua, por në të morën pjesë disa përfaqësues të Qeverisë dhe të Presidencës.

I gjendur përballë presionit në rritje nga Perëndimi, në një seancë të Kuvendit më 2 shkurt, Kurti i paraqiti gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit dhe të nesërmen udhëtoi drejt Stambollit, ku u prit për herë të parë nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Me të patën një takim e më pas edhe një darkë pune. Menjëherë pasi u kthye nga Turqia, Kurti i priti në zyrën e tij disa përfaqësues politikë të komunitetit boshnjak dhe shqiptar që jetojnë në Serbi.

Ish-diplomati britanik, Timothy Less, tani studiues në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Cambridge-it, të gjitha këto ngjarje i sheh të ndërlidhura, duke evidentuar se “z. Kurti është nën presion të madh për të pranuar diçka me rëndësi historike për Kosovën, të cilën ai nuk e dëshiron, përkatësisht Komunitetin e Komunave Serbe (KSM)”.

Less i tha Gazetës Express se Kurti po përpiqet ta fitojë mbështetjen e Erdoganit për t’iu kundërvënë presionit nga SHBA-ja.

“Unë shoh se vizita e tij në Turqi është një përpjekje për të fituar mbështetje nga një aleat i mundshëm që e ka mbështetur Kosovën në të kaluarën dhe që mund ta kundërshtojë presionin nga SHBA-ja. Turqia nuk është një partner plotësisht i besueshëm, sepse ajo është e prirur ndaj Serbisë dhe qeveria më parë e ka parë atë si më pak të dobishme sesa SHBA-në. Megjithatë, kjo përllogaritje me sa duket ka ndryshuar duke pasur parasysh se Kosova tani është në mënyrë efektive në mosmarrëveshje me Washingtonin”, thotë ai.

Turqia përfiton me këtë rast, por mbështetja e mundshme e Erdoganit për planin e Kurtit, Less thotë se varet nga marrëdhëniet e tij me SHBA-në dhe Europën, dhe jo nga interesat e shqiptarëve të Kosovës.

“Është domethënëse që z. Kurti iu dha një audiencë me Presidentin Erdogan, i cili mund ta shohë uverturën e z. Kurti si një mundësi për Turqinë që të përfshihet në dialog dhe ta zgjerojë ndikimin e saj në Ballkan. Megjithatë, nuk ka asnjë provë deri më tani që Turqia do ta mbështesë vizionin minimalist të z. Kurti për Asociacionin dhe nëse do ta bëjë këtë do të varet tërësisht nga marrëdhëniet e Turqisë me SHBA-në dhe Europën, dhe jo nga interesat e shqiptarëve të Kosovës”, thekson Less.

Erdogan, pas takimit dhe darkës së punës me Kurtin, në një konferencë të përbashkët ofroi mbështetjen e Turqisë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëdnimor, nëse këtë ia kërkojnë Kosova dhe Serbia.

“Ne i kushtojmë rëndësi madhore zhvillimit të marrëdhënieve paqësore të Kosovës dhe të gjithë fqinjëve të saj. Në këtë suazë ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi dhe presim që palët të dëshmojnë një qasje paqësore e konstruktive. Shpresojmë që procesi i dialgout me Serbinë të përmbyllet duke siguruar paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”, u shpreh Erdogan.

Në shtator të vitit të kaluar, Kurti e kishte refuzuar disi një “ndihmë” të ofruar nga presidenti turk që ai të përfshihej si ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi. Shefi i qeverisë kosovare pati thënë se “Turqinë e kemi shtet mik dhe aleat”, por se dialogu zhvillohet “me ndërmjetësimin e Brukselit dhe ndihmohet nga SHBA-ja”.

Këtë herë, Kurti e falënderoi Erdoganin për “përkrahjen e zëshme” ndaj Kosovës dhe më pas foli për kontributin e komunitetit shqiptar dhe atij turk në shtetet përkatëse.

Kryeministri tha më 2 shkurt në Kuvend se “Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik” dhe se “duhet të ndërrojë emër”. Këto përbënin kushtin e dytë të cilin Kurti e paraqiti në atë seancë. Po atë ditë, Usame Zukorliq, deputeti boshnjak dhe kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Pajtim, shprehu pakënaqësi në Kuvendin e Serbisë për pozitën e boshnjakëve në Kosovë, duke paralajmëruar mundësinë që lidershipi politik i këtij komuniteti të niste një iniciativë për një “asociacion të komunave boshnjake”.

Kryetari i Partisë së Veprimit Demokratik të Sanxhakut në Serbi, Sulejman Ugljanin, të mërkurën ia dërgoi një letër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell, përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, si dhe të dërguarit të SHBA-së, Gabriel Escobar.

Serbisë, SHBA-së dhe BE-së iu kërkua që të garantojnë “të drejta të barabarta për boshnjakët në Serbi në vazhdimin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes sipas modelit të kërkuar për komunitetin serb në Kosovë”.

Ugljanin, së bashku me tre deputetë të Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberin, Enis Imamoviqin e Selma Kuçeviqin, ishin në zyrën e Kurtit më 4 shkurt, menjëherë pasi ai u kthye nga Turqia.

Në takimin me kryeministrin e Kosovës, ata theksuan se ishin të pakënaqur me pozitën e boshnjakëve dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Zyra e Kurtit bëri të ditur se ky delegacion ka kërkuar reciprocitet të të drejtave me serbët në Republikën e Kosovës.

“U pajtuan se për paqe të qëndrueshme dhe siguri në Ballkanin Perëndimor duhet të ketë simetri të drejtash, dhe jo qasje privilegjuese ndaj një pakice apo komuniteti”, u tha në komunikatën e ZKM-së.

Ish-diplomati britanik, Timothy Less, nuk ka dyshim se kontakti i Kurtit me boshnjakët “është i lidhur me shpresën e tij se, nëse ai duhet ta pranojë Asociacionin, ai mund t’i krijojë ato si entitete multietnike dhe jo serbe”.

“Nëse kjo do të ndodhë është një çështje që duhet vendosur në negociata. Serbia do ta kundërshtojë idenë e tij për zbehjen e karakterit serb, sigurisht, por kjo është e gjitha që mund të themi për momentin”, thotë Less.