Një lajm i keq ka ardhur së fundmi për trajnerin Carlo Ancelotti dhe kombëtaren e Brazilit: sulmuesi i Real Madridit, Rodrygo Goes, është i detyruar të qëndrojë jashtë fushave për të paktën shtatë muaj për shkak të çarjes së ligamentit kryq anterior dhe meniskut të jashtëm të gjurit të djathtë, sipas komunikimit zyrtar të klubit.
Kjo është një goditje e fortë praktikisht 100 ditë para fillimit të Botërorit 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada dhe në Meksikë.
Rodrygo, edhe pse jo gjithmonë titullar i palëkundur, ishte një referencë e rëndësishme në repartin ofanziv për Ancelottin dhe mund të luante në të dy krahët apo si mbështetje e sulmuesit qendror, role që tashmë do t’i mungojnë Brazilit.
Me mungesën e tij, Vinícius Jr. e humbet zëvendësuesin kryesor në krahun e majtë përveç opsionit Gabriel Martinelli, ndërsa përvoja e repartit sulmues brazilian dobësohet kështu ndjeshëm, shkruan “Gazeta Express”.
Në këtë kontekst, i riu Endrick, i huazuar aktualisht te Olympique Lyonnais, mund ta gjejë një mundësi të madhe.
Sulmuesi 18‐vjeçar e ka aftësinë të luajë në të dy krahët dhe si qendërsulmues, duke i mbuluar rolet e lëna bosh nga Rodrygo.
Ftesa për ndeshjet e Brazilit ndaj Francës më 26 mars dhe me Kroacisë më 1 prill në SHBA duket pothuajse e sigurt, ku ai do ta ketë mundësinë ta tregojë veten me fanellën kombëtare.
Konkurrenca mbetet e fortë me emra si Richarlison, Joao Pedro, Matheus Cunha, Gabriel Jesus dhe Igor Thiago që luftojnë për vendet e sulmit, por prestigji i Endrick dhe forma e tij aktuale mund t’i sigurojnë avantazh — nëse arrin në Kupën e Botës në formë të plotë dhe me besim maksimal. /Gazeta Express