Te Real Madrid po fryjnë erëra ndryshimi, këtë herë jashtë fushës së lojës. Klubi madrilen ka vendosur të bëjë një ristrukturim total të stafit mjekësor, duke sjellë një revolucion të vërtetë në këtë repart të rëndësishëm.
Vendimi, sipas The Athletic, ka ardhur si pasojë e numrit të madh të lëndimeve që penguan ekipin gjatë gjithë sezonit të kaluar, por edhe për shkak të disa konflikteve të brendshme që kanë ekzistuar brenda stafit mjekësor.
Real Madrid, i njohur për standardet e tij të larta, nuk e ka parë më të pranueshme situatën aktuale dhe ka vendosur të ndërmarrë hapa radikalë për të garantuar që lojtarët të kenë kujdesin më të mirë të mundshëm dhe rikuperim sa më të shpejtë.
Ky vendim shihet si pjesë e strategjisë së re të klubit, që përveç përforcimeve në fushë, po i kushton rëndësi maksimale edhe mirëqenies dhe përgatitjes fizike të futbollistëve.