string(29) "lela-dhe-kompania-e-dhunuesve"

Arte

Gazeta Express

04/03/2022 16:55

Lela dhe kompania e dhunuesve

Arte

Gazeta Express

04/03/2022 16:55

Shfaqja “Lela & Co” me tekst të Cordelia Lynn, e bazuar në ngjarje të vërtetë, vjen reprizë në teatrin Kombëtar të Kosovës më datat 4 dhe 5 mars. Shfaqja e konceptuar nga Desara Bosnja dhe “1989 Productions”, u përkthye në shqip nga Jeton kulinxha, regjia Eki Rrahmani

Nga: Donjeta Abazi

E rritur në një familje patriarkale Lela është një vajzë që ka ëndrra po guxim jo, të tjerët ndikojnë në jetën e saj por ajo nuk vendos, të tjerët jetojnë jetën e saj ajo i vështron prej larg. E rritur nga një baba abuzues nga një vend malor (në shfaqjen e shqipëruar mund të jetë malësia e Mbishkodrës, vendet malore të Kosovës ose rajonit), Lela nuk ia ka idenë për botën jashtë, mendon që ka një motër ta mbështesë, megjithatë edhe aty zhgënjehet.

Ngjarja lëviz nga fëmijëria e Lelës deri tek martesa e saj (gjatë kësaj periudhe personazhet janë në mjedise të luftës), e pastaj edhe pas martesës. Lela nga një baba abuzues kalon tek një bashkëshort abuzues, një biznesmen i kamur që sakrifikon gjithçka për të holla, kur themi gjithçka këtu përfshihet edhe karakteri i Lelës, jetesa, e deri tek trupi i saj që nuk çon fort peshë kur vjen puna te biznesi.

Lela detyrohet nga bashkëshorti i saj të prostituohet, nga miqtë e tij, nga ushtarë që vijnë aty, nga secili; Lela prostituohet nga patriarkati. Ajo është e mbyllur në kafaz brenda një dhome me një kolltukë dhe trupi i saj nuk njeh kurrfarë kënaqësie veç torturave mashkullore e epsheve të tyre shtazarake që e zhgërryejnë deri në dhimbje. Hapësira e saj ngushtohet, rruga për t’u arratisur zvogëlohet kur mbetet shtatzënë nga njëri prej dhunuesve. Nga hapësira në malësi te hapësira në një qytet, në një banesë, në një dhomë, në një kolltukë, Lelës i mbetet e saja veç hapësira mes krahëve, hapësira që e mban fëmijën e saj. Dëshira e saj për arratisje bëhet realitet, por kjo arratisje do t’i kushtojë me humbjen e vajzës së saj, e cila vdes nga uria.

Ajo ka një shpresë që të kthehet në shtëpi tek e ëma, në Malësinë e saj, ani pse dhimbjet në trup e në shpirt vërehen me kilometra. Familja e Lelës është po e njëjta siç e ka lënë me të njëjtin mentalitet, me të njëjtat shprehi agresive, me të njëjtin mosvlerësim. Atë e martojnë serish pa e pyetur kurrë nëpër çka ka kaluar, pa e pyetur kurrë nëse është gati të fillojë sërish. Lela lind edhe një fëmijë tjetër dhe vazhdon jetën me burrin e saj, i cili së paku abuzues e dhunues nuk është.

“Lela & Co” është një shfaqje dhimbjeje, është një realitet kumbues, është një realizim që nuk lë vend për imagjinatë, sepse gjithçka aty përjetohet si në lëkurën e protagonistes. Lelës ia thyejnë dëshirën për jetë, ia marrin gjithçka çka mund t’i merret dikujt. Atë e vret familja e saj, rrethi, burrat, gjithçka tjetër që mban emrin mashkull.

«Ju betohem në vajzën time te vdekur e ne djalin tim të gjallë se gjithçka që do ta rrëfej është veç një e vërtetë», kështu hapet shfaqja e Lelës, e cila u bë kurban i imoralitetit, dhunës, e sojit që mban emrin “mashkull”. Dhimbja e saj rëndohet me humbjen e të vetmës që ishte e saj, fëmijës, të cilën as ka kohë ta vajtojë.

“Lela & Co” nuk është veç shfaqje, historia e vërtetë e një vajze që nuk mbeti e harruar veç kur u bë fjala për ç’njerëzorën, sepse në të gjitha pikat e tjera ajo u përbuz nga vetë njerëzit. Momentet qesharake të shfaqjes zbehen, sepse ajo çfarë përjetohet aty nuk mund të fshihet nga kujtesa. Kjo histori mbetet testament i gruas pa fuqi, fuqinë e të cilës ia grabitin pamëshirshëm, vulgarisht deri në ç’rrënjosje.

«Ju betohem në vajzën time të vdekur e në djalin tim të gjallë së krejt kjo është më shumë së boll», kështu mbyllet historia e Lelës.

AKTORËT – KARAKTERET

Gentë Ratkoceri – Lela

Rrëfimi i Lelës përmes aktores Gentë Ratkoceri kalon në një dimension perfekt. Aktorja ka barrën e shfaqjes që përgjatë një ore ka dialog, ka veprim në skenë, ka situata që e mbajnë gjithë kohës aktive.

Gentë Ratkoceri rrëfen për emocionet e premierës, që padyshim kanë një vend të veçantë tek ajo. Megjithatë kjo shfaqje i ngjall emocion asaj saherë që del në skenë. Aktorja na tregon së si nganjëherë, nga emocionet e dramës, ndodh që i humbet teksti, porse kimia bashkëpunuese me aktorin tjetër të shfaqjes, Kushtrim Sheremetin, bën gjithçka më të lehtë. Vetë Ratkoceri është kundër padrejtësive, kundër dhunës ndaj grave dhe si e tillë rolin e Lelës e përjeton deri në palcë.

Gentë Ratkoceri personifikon Lelën në shfaqje më të gjitha fazat saj, mishërimi i saj më shfaqjen përçon tek publiku emocionet e dhimbjes tmerrësisht të thellë të një gruaje të përçmuar.

Kushtrim Sheremeti – bashkëshorti i (të gjithë burrat përreth) Lelës

Aktori Kushtrim Sheremeti në shfaqje personifikon jo veç bashkëshortin e Lelës, ai në të njëjtën kohë personifikon, babanë e saj, dhëndrin, ushtarin e huaj, të gjithë burrat që e dhunojnë.

Shfaqja luhet nga vetëm këta dy aktorë, por roli i shumëfishtë i Kushtrim Sheremetit jo me pahiri është i tillë, sepse fundja të gjithë burrat janë kundër Lelës, vetë aktori Sheremeti në këtë rast është “gjithë patriarkati”.

Kushtrim Sheremeti rrëfen së sa sfiduese ka qenë për të që ta mbajë mbi shpatulla përgjegjësinë për të qenë multifunksional në shfaqje me gërshetimin e gjithë atyre personazheve. Ama dëshira për skenën, bashkëpunimi i mirë me aktoren Gentë Ratkocerin, kalon përtej këtyre sfidave. Për aktorin sfiduese është edhe fakti së gjithë kohës ai duhet të jetë në skenë pa pasur mundësi ndërrimi kostumesh e me kushtet e sallës së vogël në teatër. Në anën tjetër, nga ana e autores së tekstit origjinal është kërkuar që të mos ndryshohet koncepti dhe të mos shtohet ose mangohet ai. Sheremeti thotë së sa herë del në skenë për këtë shfaqje ai mendon për gjininë e tij në raport me gratë, së si burrat mund të jenë egoistë, që bëhen të pandershëm duke u munduar të jenë të ndershëm së si kufiri i egoizmit për të kaluar në fashizëm është një teh shumë I hollë. Sipas Kushtrim Sheremetit, puna e mirë e regjisorit Eki Rrahmanit, por edhe vetë fuqia e tekstit origjinal i japinë dyfish më shumë emocione shfaqjes.

Shënim biografik për autoren

Cordelia Lynn është dramaturge, autore e një pjesëve si: Love and Other Acts of Violence (Donmar Warehouse, London, 2021); Hedda Tesman, after Henrik Ibsen (Headlong / Chichester Festival Theatre / The Lowry, 2019); një version i ‘Tri motrat’ e Çehovit (Almeida Theatre, London, 2019); Lela & Co. (Royal Court Theatre, London, 2015); Believers Anonymous (Rosemary Branch Theatre, 2012); dhe After the War, që është shfaqur në tërë Britaninë e Madhe.