Leksione ngrehalucësh, I - Gazeta Express
string(23) "leksione-ngrehalucesh-i"

OP/ED

Gazeta Express

04/01/2024 15:06

Leksione ngrehalucësh, I

OP/ED

Gazeta Express

04/01/2024 15:06

Ngado që ta vërtisim, nuk e di pse jemi kaq të dënuar ta kemi një ministe të Jashtme si Gërvalla

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Na bën vaki, e ndoshta jo edhe aq rrallë, e rëndom në momente shumë kritike, të dëgjojmë akuza – nga personalitete të ndryshme, sidomos politike, vendesh të vogla e ndonjëherë vendesh të mëdha, pra nga ata me orientim kryesisht djathtist – ndaj politikave të vendeve që me një fjalë përbëjnë Perëndimin. Kur ne e dëgjojmë këtë ta bëjë ndonjë Orban, ose ndonjë Salvin, ose pastaj ndonjë politikan serb, ne nuk është se habitemi ndonjë gjë, duke qenë se e dimë nga dhe pse vijnë akuzat, edhe ne pra këtu që jemi pothuajse vetëm spektatorë të gjithë asaj shfaqjeje.

Po kur dëgjojmë ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallën, të thotë se «Perëndimi ka nevojë për një strategji të re, se ajo e vjetra ka perënduar», a habitemi ne? A e dimë saktësisht se për çfarë e ka fjalën dhe a është e mundur që Gërvalla të jetë aq e vetëdijshme për kalbjen e strategjisë politike të Perëndimit – «përballë një Moske agresive» – e vetë Perëndimi të mos e ketë idenë se çka po i ndodh, të ketë rënë në atë derexhe sa të operuar prej kohësh «me kompromise të dobëta dhe joparimore»? A është vetë Gërvalla një diplomate e dëshmuar sa ta ketë qoftë edhe vetëm të drejtën morale (kënaqësinë mund ta ketë nga natyra, edhe kur ajo është perverse), të diskutojë politikat perëndimore dhe a është në të njëjtën kohë Kosova një vend aq i rëndësishëm sa të jetë i mirëpritur t’i japë leksione perëndimit mbi strategjitë politike?

Gërvalla nuk e ka (nuk e ka dëshmuar ta ketë) as edhe një cilësi të vetme të të qenit diplomate. Arroganca e tillë si në rastin e deklaratës së sotme, pasojë e jomaturisë së saj të përgjithshme, është në sintoni të përsosur me naivitetin diplomatik të pushtetit të sotëm, që Perëndimin e sheh si një subjekt të degjeneruar, korruptuar dhe të padrejtë në pritje të leksioneve shpëtimtare nga vendet e mjera dhe të pashpresa si ai nga i cili vjen vetë ky pushtet.

Nuk e di se çfarë satisfaksioni gjejnë për veten e tyre (e çfarë satisfaksioni gjejnë pastaj votuesit dhe përkrahësit e tyre),  kur flasin e veprojnë kështu, mbase edhe janë verbërisht të bindur se janë në të mirën dhe për të mirën, por ne që jemi jashtë rrethit të tyre magjik, ne që e kemi njëfarë ideje mbi gjeografinë territoriale, politike, ekonomike dhe ushtarake të vendit tonë, deklarata e veprime të tilla na lënë pa mend, na e shpifin të qenët në këtë vend dhe na e neverisin vetë të pasurit shpresë për këtë vend.

Në fund ngado që ta vërtisim, nuk e di pse jemi kaq të dënuar ta kemi një ministe të Jashtme kaq naive dhe arrogante, përkthyer më kapshëm, kaq injorante.