Lekaj boton libër për përpjekjet e shqiptarëve për liri - Gazeta Express
string(55) "lekaj-boton-liber-per-perpjekjet-e-shqiptareve-per-liri"

Arte

Gazeta Express

23/04/2021 14:32

Lekaj boton libër për përpjekjet e shqiptarëve për liri

Arte

Gazeta Express

23/04/2021 14:32

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtës së Autorit, ka dalë nga shtypi, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni” në Prishtinë, libri “Kombformimi dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi, një qasje teorike-interpretuese” i autorit Fatmir Lekaj

Me këtë libër autori Lekaj jep kontribut të mëtejmë lidhur me etninë shqiptare dhe kombin shqiptar (përfshirë dallimin në mes etnisë dhe kombit), si dhe në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë edhe debatin në lidhje me “identitetin kosovar” etj. po në këtë libër autori jep disa sugjerime në lidhje me një zgjidhje të qëndrueshme politike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lexo Edhe:

Më poshtë parathënia e librit.

PARATHËNIE

Marrë parasysh faktin se objektiviteti është një ndër qëllimet e rëndësishme të shkencës, para se të filloja ta shkruaja këtë libër në lidhje me kombformimin dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi, e kisha një dilemë në kuptimin se sa do të mund të jem objektiv. Duke e marrë parasysh ndjeshmërinë e temës të këtij libri dhe subjektivitetin që barti me vete, veçanë­risht si pjesë e një trashëgimie familjare që në vazhdimësi ka qenë e angazhuar në përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi, nga babai im Rexhep Ujkani, gjyshi Ujkan Haziri, stërgjyshi Hazir Selmani, e në këtë vazhdë, Selman Uka, Ukë Osmani, Osman Leka, deri te Lekë Gjeka, emrin e të cilit e mbaj mbiemër me krenari.

Lekë Gjeka, së bashku me babanë e vet, Gjekë Prenin (i njohur edhe si Gjekë Stanishi – Rugovalia), dhe vëllezërit e tij, Dedën, Lucen dhe Palin, para rreth 350 vjetësh organizuan rezistencën e parë në Rugovë kundër ekspeditave të Perandorisë Osmane, përkatësisht në fshatin Koshutan të trevës së Rugovës. Që nga kjo kohë pasardhësit e kësaj vëllazërie (Dedës, Lekës, Lucës dhe Palit), e njohur si vëllazëria Muriqi e fisit Kelmend, e fshatit Koshutan të Rugovës, në vazhdimësi kanë dhënë disa ndër figurat e rëndësishme në kuadër të përpjekjeve të shqip­tarëve për liri dhe barazi, përveç të tjerëve: Sali Jahën (pjesëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit), Zhuj Selmanin, Kajë Galën, Kadri Bajrin, Sadik Ramën, Rizë Zymerin, Sak Faslinë dhe shumë të tjerë, deri në çlirimin e Kosovës në vitin 1999. E, gjithashtu, bazuar në vijën trashëguese nga gjyshja ime (nëna e babait tim) Shkurte Haxhaj – Hoti, bijë e familjes së bajraktarit të Hotit të Kunjit, Alush Smajl Hotit, i cili është i mirënjohur si kushtrimdhënësi i betejës së Nokshiqit (1879), si një ndër betejat më të fuqishme të shqiptarëve nën udhëheqjen e Ali Pashë Gucisë, kundër copëtimit të territoreve shqiptare.[1] Duke përfshirë bashkëfamiljarët e nënës sime, Hasnije Feratit, përkatësisht Feratajt e Gucisë, të nënfisit Bokeqi, të Hotit.[2] Përveç të tjerëve, gjyshi im Ram Ferati u plagos në luftën e Çeremit më 28. 02. 1913. Ndërsa, bazuar edhe në aktgjykimet nga arkivi, të publikuara në librin e historianit Zekeria Cana, Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913 (dokumente), rezulton se dy kushërinjtë e Ramë Feratit, pjesëmarrës në luftën e Çeremit, An Jakup Ferati dhe Medi Omer Ferati, pasi që u arrestuan, u dënuan me vdekje. Kurse vëllai i Medit, Hysi dhe djali i Hysit, Jonuzi, e vazhduan rezistencën në kuadër të Lëvizjes Kaçake[3]. Prandaj, për ta shmangur tërësisht ose, së paku, për ta zvogëluar sa më shumë subjektivitetin tim dhe duke marrë parasysh ndjeshmërinë e temës së këtij libri, jam bazuar kryesisht në burimet e autorëve të huaj meqë konsi­derohen burime më neutrale, madje në disa raste të domos­doshme edhe duke i cituar drejtpërdrejt, përfshirë pjesërisht përdorimin e dokumenteve të cilësuara si burime primare dhe burime të tjera relevante-plotësuese. Në aspektin metodologjik e kam përdorur qasjen teorike (interpretuese) si pjesë e studimeve kualitative, përkatësisht si pjesë e të ashtuquajturit rast studimor ose studim i rastit (casestudy), që zakonisht përdoret edhe në veprimtarinë kërkimore të shkencës politike.

Për të sqaruar në një mënyrë më koncize statusin e rastit studimor, në kuadër të veprimtarisë kërkimore të shkencës politike, fillimisht duhet nënvizuar faktin se metodologjia e shkencës politike qëndron në mes të idealeve të shkencave natyrore, në kuptimin e përqendrimit në observime të matshme për t’i zbuluar lidhjet kausale dhe për t’i kuptuar ligjet natyrore nëpërmes testimit të teorive, bazuar në metodën deduktive. Dhe idealeve të shkencave humane, në kuptimin e përqendri­mit në të kuptuarit dhe interpretuarit e ngjarjeve dhe individëve, bazuar në metodën hermeneutike ose metodën induktive. Tradicionalisht, rasti studimor qëndron më afër shkencave humane, ku studiuesi është më shumë i shqetësuar për veçan­tinë dhe thellësinë sesa për gjerësinë dhe testimin teorik. Kështu që, në veprimtarinë kërkimore të shkencës politike nuk ka konsensus të plotë sa i përket mundësisë së përdorimit të rastit studimor edhe për testimin e hipotezave/teorive. Për shembull, studiuesi amerikan John Gerring është më pak optimist dhe konsideron se rasti studimor është më i për­shtatshëm për pjesën eksploruese të kërkimit, përkatësisht për zhvillimin e nocioneve/koncepteve, hipotezave/teorive.[4] Me fjalë të tjera, konsiderohet se vetëm studimet kuantitative që kanë pikënisjen e tyre në traditën e shkencave natyrore janë të përshtatshme për t’i testuar hipotezat dhe teoritë. Ndërsa studiues të tjerë sikurse, për shembull, studiuesi norvegjez Svein Andersen dhe studiuesi amerikan Robert Yin, janë më optimistë dhe konsiderojnë se rasti studimor, përveçse mund të përdoret për t’i zhvilluar nocionet/konceptet, hipotezat/ teoritë, mund të përdoret edhe për testimin e hipotezave/ teorive. Andersen e paraqet një kategorizim të pesë llojeve të rastit studimor, varësisht prej ambicies teorike të studiuesit. Kategoria e parë është qasja a-teorike, e cila qëndron afër formës më tradicionale të rastit studimor dhe nënkupton studimin e një fenomeni thjesht për shkak të vlerës së brendshme të fenomenit, pa përdorimin e teorisë. Kategoria e dytë është qasja teorike interpretuese, e cila merr pikënisje në një kornizë konceptesh dhe teorish, për të realizuar një rast studimor. Kategoria e tretë e rastit studimor nënkupton zhvi­llimin e nocioneve/koncepteve të reja të cilat rezultojnë shpesh si biprodukt që, për shembull, e përshkruajnë një grup, mënyrën specifike në të cilën grupi ndërvepron ose aspekte specifike të ekzistencës së grupit. Nocionet/konceptet e MaxWeberit (tipit ideal) mbi burokracinë, është një shembull i mirë për këtë. Gjithashtu, studimi i Robert Michelsit për ligjin e hekurt të oligarkisë, i cili është shembull i rastit studimor për zhvillim të nocioneve/koncepteve, por edhe shembull i rastit studimor për zhvillim teorik, që rrjedhimisht hyn edhe në kategorinë e katërt. Pra, kategoria e katërt është rasti studimor për zhvillimin teorik që, gjithashtu, është një formë klasike e përdorimit të rastit studimor. Në kuptimin e një lloj studimi paraprak brenda një fushe formësohen hipotezat dhe teoritë që mund të testohen më sistematikisht në kontekste të tjera. Ndërsa kategoria e pestë nënkupton se rasti studimor mund të shërbejë edhe për testimin e hipotezave/teorive.[5] Sipas Yinit, edhe pse rasti studimor nuk ka fuqinë e reprezentimit statistikor, megjithëkëtë, nëse rasti studimor përzgjidhet sa më mençur­risht, ka përfaqësim analitik. Në kuptimin se kur një rast studimor reprezenton një rast studimi kritik, atëherë mund të shërbejë që të vërtetojë, çvërtetojë, zgjerojë ose sfidojë një teori të përkufizuar empirikisht.[6]

Kategoria e parë, qasja a-teorike e rastit studimor, është më pak e rëndësishme ngaqë mungesa teorike është problematike në kuadër të shkencave shoqërore, posaçërisht në kuadër të shkencës politike. Politologët nuk janë të shqetësuar vetëm me studimin e vlerës së brendshme të fenomeneve, por edhe me studimin e fenomeneve që potencialisht kanë një vlerë të përgjithshme. Kështu që, përveç kategorisë së parë, katër kategoritë e tjera që Andersen paraqet, janë të rëndësishme në kuadër të veprimtarisë kërkimore të shkencës politike sepse më pak dhe më shumë kontribuojnë për të vendosur një rast studimor në kuadër të një konteksti më të gjerë.

Përdorimi i qasjes teorike-interpretuese si metodë në këtë libër renditet në kategorinë e dytë, përkatësisht në atë që Andersen e cilëson rast studimor teorik-interpretues, ku merret pikënisje në një kornizë konceptesh dhe teorish, për të realizuar një studim. Rrjedhimisht, duke marrë pikënisje në një kornizë teorish dhe konceptesh, dhe duke u bazuar krye­sisht në burimet e autorëve të huaj, pjesërisht edhe në doku­mente dhe burime të tjera të rëndësishme plotësuese. Qëllimi im me këtë libër është që të hidhet më shumë dritë, sa më objektivisht, sistematikisht dhe të përmbledhur, mbi procesin e kombformimit dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi.

[1] Fazli Sh. Muriqi – alias Bajraktari (2016): Koshutani heorik i Rugovës kreshnike, f. 5-10, 36. Shih edhe Fazli Sh. Muriqi – alias Bajraktari (2018): Osmanlekajt e Koshutanit, f. 5-8, 15-16, 24, 37, 46, 110-113, 115-126, 128-129

[2] As. prof. dr. Kahreman Ulqini (2016): Si u formua Krahina Malësi e Madhe?https://zanimalsise.com/si-u-formua-krahina-malesi-e-madhe/Shih edhe prof. Riza Gruda (2021): Prejardhja e banorëve të Plavë-Gucisë… https://www.plavgusinje.me/2019/12/porijeklo-stanovnistva-plava-i-gusinja.html?m=1&fbclid= IwAR18_OGB_muG-bf3KI9norpQGfPpJqdVJpE1vpR2x7l-f2myZxNdej8tuPY

[3] Cana 1996: 163-164, 174-176

[4] Gerring 2004: 349

[5] Andersen 2010: 61-86

[6] Yin 2009: 15, 47